Protesta masive në Izmir, qytetarët kërkojnë dorëheqjen e kryebashkiakut pasi i’u bashkua partisë së Erdoganit

8 Tetor 2026 | 17:59

Më shumë se 1 mijë protestues u mblodhën në Izmir të Turqisë, pas vendimit të kryebashkiakut të qytetit, Xhemil Tugaj, për t’iu bashkuar partisë AKP të presidentit Rexhep Tajip Erdogan.

Kalimi i Tugajt në partinë e presidentit turk shkaktoi zemërim te qytetarët e Izmirit, një qytet që prej gati 30 vitesh drejtohet nga opozita.

Policia vendosi barriera në sheshet kryesore të qytetit përpara protestës së mbrëmjes. Protestuesit u mblodhën pranë në sheshin Xhumhurijet, duke valëvitur flamujt turq dhe duke brohoritur: “Tugaj, jep dorëheqjen!”.

Përballë tyre u vendosën forcat e policisë së ndërhyrjes, ndërsa në zonë u panë edhe të paktën katër automjete me ujë.

Disa protestues zgjodhën një mënyrë simbolike për të shprehur kundërshtimin e tyre. Ata mbanin një arkivol të improvizuar, mbi të cilin shkruhej “Politikisht i vdekur”, duke iu referuar karrierës politike të kryebashkiakut Tugaj.

Izmiri, qyteti i tretë më i madh i Turqisë, me rreth 4.5 milionë banorë, ka qenë prej kohësh një bastion i opozitës. Për presidentin Erdogan, marrja e drejtimit të qytetit përmes kalimit të kryebashkiakut në AKP përbën një fitore të rëndësishme simbolike.

Megjithatë, AKP-ja nuk ka marrë kontrollin e këshillit bashkiak të Izmirit. Në këshillin me 184 anëtarë, partia opozitare Yeni ka 91 vende, AKP-ja 38 dhe CHP-ja 35. Pas kalimit të Tugajt, AKP-ja shkon në 39 vende.

Vendimi i kryebashkiakut vjen në një periudhë të tensionuar për opozitën turke, e cila prej muajsh po përballet me arrestime dhe procese gjyqësore ndaj kryebashkiakëve dhe zyrtarëve të zgjedhur.

Sipas raportimeve të mediave turke, disa kryebashkiakë të opozitës janë arrestuar, ndërsa të paktën 17 kryebashkiakë të opozitës kanë kaluar në radhët e AKP-së.

Xhemil Tugaj u zgjodh kryebashkiak i Izmirit në prill të vitit 2024. Në qershor të këtij viti ai u largua nga CHP-ja, ndërsa deklaroi se do të qëndronte i pavarur.

Kalimi i tij në partinë e Erdoganit tashmë ka shkaktuar protesta në qytet, ndërsa qytetarët kërkojnë që kryebashkiaku të japë dorëheqjen.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

OBSH harton udhërrëfyesin global për trajtimin e hipertensionit te gratë shtatzëna

Të dhënat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë tregojnë se çrregullimet hipertensive që përfshijnë pre-eklampsinë dhe eklampsinë, përbëjnë rreth 16 % të vdekjeve amtare në botë....
17:54 | 08/10/2026

Sulmi i dytë me thikë në një shkollë në Poloni, autoritetet e alarmuara: Dyshime për një sfidë në internet

Një 15-vjeçar që mbante një kamerë të montuar në helmetë vrau një punonjës dhe plagosi dy të tjerë në një shkollë fillore polake të enjten....
17:42 | 08/10/2026

Linjat ajrore pezullojnë për disa ditë fluturimet për në Riad pas sulmeve të rebelëve Huthi

Linjat ajrore dhe Air India do të pezullojnë fluturimet për në Riad pasi rebelët Huthi të lidhur me Iranin, rifilluan kërcënimet kundër linjave ajrore. Ata...
17:30 | 08/10/2026