
Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas lajmit për përfshirjen në Listën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Shqipërisë. të “Valles së Osman Takës”.
Sipas Ramës, kjo valle është e njohur si një simbol i identitetit çam.
“Vallja e Osman Takës përfshihet në Listën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Shqipërisë. Simbol i identitetit çam, kjo valle mbart historinë, krenarinë dhe qëndresën e një tradite të përcjellë ndër breza”, shkruan Rama.
Sipas tij, vallja, e lidhur me figurën e Osman Takës nga Konispoli, ndërthur forcën dhe elegancën dhe shpreh trimërinë, sakrificën, solidaritetin dhe shpirtin e lirë.
Osman Taka është një nga figurat më të njohura të traditës së valleve çame. Sipas gojëdhënës popullore, ai u arrestua dhe u dënua me vdekje nga autoritetet osmane, pasi u akuzua për veprimtari kundër tyre.
Legjenda tregon se, përpara ekzekutimit, Osman Takës iu dha mundësia të hidhte vallen e fundit. Ai kërkoi të kërcente vallen çame që sot mban emrin e tij.
Interpretimi i tij thuhet se i mahniti aq shumë autoritetet osmane, saqë vendosën t’ia falnin jetën.
Historia e Osman Takës dhe vallja që mban emrin e tij janë përcjellë ndër breza dhe tashmë kjo traditë është pjesë e Listës Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Shqipërisë./Versus.al

