
Tetë persona janë shoqëruar nga Policia pas protestës së zhvilluar sot para Kuvendit të Shqipërisë, ku pati përplasje mes disa protestuesve dhe efektivëve.
Sipas Policisë së Shtetit, gjatë tubimit disa pjesëmarrës kanë shtyrë dhe goditur me vezë, domate, gurë dhe sende të tjera punonjësit e policisë që ishin angazhuar për garantimin e perimetrit të sigurisë.
Efektivët u kanë bërë thirrje protestuesve, përmes megafonit, që të ndalonin veprimet e kundërligjshme, të zbatonin urdhrat e policisë dhe të mos cenonin perimetrin e sigurisë së Kuvendit apo të bllokonin rrugën.
Sipas Policisë, thirrjet nuk janë respektuar nga disa prej pjesëmarrësve.
Në këto kushte, efektivët kanë përdorur spraj individual policor për të neutralizuar veprimet e dhunshme. Në vijim, deri në orën 17:30, janë shoqëruar tetë persona që, sipas Policisë, kryenin veprime të dhunshme.
Policia e Shtetit deklaron se vijon detyrën për garantimin e rendit dhe sigurisë, si dhe të drejtës së qytetarëve për të protestuar në mënyrë paqësore.
Autoritetet u bëjnë thirrje pjesëmarrësve të respektojnë ligjin dhe të mos kryejnë veprime të dhunshme ndaj punonjësve të Policisë, duke paralajmëruar se çdo shkelje do të trajtohet në përputhje me ligjin.

