Reagon kreu i LDK-së, Abdixhiku pas ndryshimit të Ligjit për Specialen: Po, ju kanë mashtruar

8 Tetor 2026 | 19:28

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas miratimit të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara, duke rikthyer në vëmendje qëndrimin e LDK-së kundër kësaj nisme.

Në një reagim në Facebook, Abdixhiku tha se brenda më pak se 48 orësh është bërë e qartë, sipas tij, se ndryshimet ligjore nuk prodhojnë efektin juridik që u ishte premtuar qytetarëve.

“Po, ju kanë mashtruar! Dhe po, ua kemi thënë!”, shkroi Abdixhiku.

Ai argumentoi se LDK-ja kishte paralajmëruar që më 5 tetor, në Kuvend, për rreziqet juridike dhe politike të nismës. Sipas tij, në vend që të dëgjoheshin argumentet e partisë, LDK-ja u sulmua politikisht dhe u akuzua si kundërshtare e UÇK-së.

“Do ta kishit kuptuar me kohë, sikur në vend të vërsuljes ndaj LDK-së dhe shpalljes së saj si kundërshtare të UÇK-së, të dëgjonit çfarë po thonim”, u shpreh ai.

Abdixhiku publikoi edhe qëndrimin zyrtar të LDK-së të mbajtur në Kuvend më 5 tetor, duke theksuar se partia kishte kërkuar që çështja të trajtohej me seriozitet juridik dhe në koordinim me aleatët.

Në qëndrimin e saj, LDK theksonte se lufta e UÇK-së është “e shenjtë”, por se ndryshimi i një ligji të zakonshëm nuk mund të zhbëjë një aktgjykim dhe as të anashkalojë Kushtetutën apo detyrimet ndërkombëtare të Kosovës.

“Nuk mund t’u premtojmë se një votim në Kuvend mund të zhbëjë një aktgjykim apo ta zëvendësojë betejën juridike”, thuhej në deklaratën e partisë.

LDK kishte paralajmëruar gjithashtu se dispozitat e reja mund të përballeshin me vlerësim kushtetues dhe se miratimi i tyre në Kuvend nuk garantonte automatikisht efektin juridik të pretenduar.

Pikërisht këtë qëndrim Abdixhiku e riktheu pas miratimit të projektligjit, duke shkruar se “nuk kalojnë as 48 orë dhe perdet bien”.

“Nuk e dëgjuan atëherë, le ta lexojnë me vëmendje sot”, u shpreh kreu i LDK-së.

LDK-ja nuk mori pjesë në votimin e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara, ndërsa nisma u miratua nga Kuvendi i Kosovës.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Kurti pas takimit me presidenten e re: Do të bashkëpunojmë për qytetarët dhe për prioritetet shtetërore

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti përmes një postimi në “Facebook” ka ndarë pamje dhe detaje nga takimi i tij me presidenten e re të vendit,...
15:17 | 08/10/2026

BE kritikon ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës: Bien ndesh me detyrimet ndërkombëtare

Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësim të thellë lidhur me ndryshimet dhe plotësimet e miratuara nga Kuvendi i Kosovës në Ligjin për Dhomat e Specializuara të...
14:23 | 08/10/2026

Hap i rëndësishëm drejt bashkëpunimit, Kurti flet pas takimit me Presidenten Shiroka-Pula

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka folur pas takimit me presidenten e sapozgjedhur Justina Shiroka-Pula, duke e vlerësuar takimin si një hap të rëndësishëm drejt...
13:09 | 08/10/2026