Ish-presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro dhe gruaja e tij, Cilia Flores, u akuzuan sot nga SHBA-ja për torturimin e kundërshtarëve politikë dhe qytetarëve amerikanë, me qëllim ruajtjen e pushtetit në vendin e Amerikës së Jugut.
Maduro dhe Flores u përballën me një akuzë shtesë për komplot për të kryer torturë, krahas akuzave për trafik droge me të cilat ishin përballur më parë, sipas një aktakuze zëvendësuese të paraqitur në gjykatën federale të Manhatanit. Nëse ata shpallen fajtor, do të rrezikojnë një dënim minimal prej 50 vjetësh burg.
Të dy u arrestuan më 3 janar nga ushtria amerikane në shtëpinë e tyre në Karakas dhe u dërguan në Nju Jork, ku përballen me akuzat për trafik droge. Që prej atëherë, Venezuela ka rritur bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara nën udhëheqjen e ish-zëvendëspresidentes së Maduros, Delcy Rodriguez.
Marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Venezuelës, një vend i pasur me naftë, kanë qenë të tensionuara gjatë 13 viteve të qeverisjes së Maduros. Zyrtarët amerikanë dhe organizatat e të drejtave të njeriut i kanë akuzuar prej kohësh autoritetet venezueliane për torturimin e të burgosurve.
