
Ish-deputeti Artan Gaçi, bashkëshorti i ish-ministres Olta Xhaçka, është marrë në pyetje në SPAK në kuadër të një hetimi për dyshime për pastrim parash.
Në përfundim të seancës, avokati i Gaçit konfirmoi se klienti i tij është pyetur në cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohen hetime, ndërsa nuk dha detaje mbi përmbajtjen e dëshmisë apo veprimet e tjera të prokurorisë.
Sipas informacioneve të bëra publike në media, pista e re hetimore është zbuluar pas këqyrjes së telefonit të një shtetaseje që ka bashkëpunuar me drejtësinë në një tjetër çështje penale.
Në telefonin e saj dyshohet se janë gjetur komunikime që lidhen me transferta monetare dhe lëvizje financiare në disa shtete. Këto të dhëna dyshohet se kanë shërbyer si pikënisje për hetimin e ri të SPAK.
Në kuadër të hetimit, autoritetet po verifikojnë natyrën dhe burimin e këtyre transaksioneve, si dhe nëse ato kanë lidhje me aktivitetet e biznesit apo marrëdhënie të tjera financiare të Artan Gaçit.
Hetimi mund të zgjerohet edhe ndaj personave të tjerë, ndërsa në këtë fazë nuk ka të dhëna zyrtare që të konfirmojnë përfshirjen e Olta Xhaçkës.
Artan Gaçi dhe aktiviteti i tij në sektorin farmaceutik janë përmendur më herët në raportime dhe denoncime mediatike, ku janë ngritur pikëpyetje mbi marrëdhëniet e tij të biznesit me sipërmarrës të tjerë dhe kompanitë që operojnë në këtë sektor.
Megjithatë, këto pretendime mbeten pjesë e raportimeve dhe nuk përbëjnë konkluzione të hetimit penal.
SPAK vijon hetimet për të zbardhur origjinën e lëvizjeve financiare dhe lidhjet e mundshme të tyre me aktivitetin e personave nën hetim./Versus.al

