Së fundmi aktori i njohur Joe Manganiello ka bërë disa rrëfime të forta për periudhën e martesës me yllin e Hollywood-it, Sofía Vergara, duke zbuluar detaje të panjohura mbi problemet e tij serioze shëndetësore dhe vështirësitë emocionale që, sipas tij, përjetoi gjatë marrëdhënies së tyre. Në librin e tij autobiografik “Bloodlines”, i cili pritet të publikohet më 13 tetor, aktori pretendon se ish-bashkëshortja e tij e tallte për lidhjen e veçantë që kishte krijuar me qenin e tij, Bubbles, të cilin e adoptoi në vitin 2019, gjatë një prej periudhave më të errëta të jetës.
“M’u desh të hiqja dorë nga arma ime, sepse vazhdoja të mendoja për të. Pastaj erdhi qeni. Nga pacient u ktheva në kujdestar”, rrëfen Manganiello, duke lënë të kuptohet se kafsha shtëpiake luajti një rol të rëndësishëm në përballimin e gjendjes së tij emocionale.
Aktori pretendon gjithashtu se Vergara refuzonte ta përqafonte gjatë kohës kur ai ishte rëndë i sëmurë, edhe kur ia kërkonte drejtpërdrejt. Deri më tani, aktorja nuk ka reaguar publikisht ndaj këtyre pretendimeve. Pas ndarjes, Sofía Vergara kishte deklaruar në vitin 2024 se martesa e tyre përfundoi për shkak të pikëpamjeve të ndryshme mbi prindërimin.
“Martesa ime përfundoi sepse bashkëshorti im ishte më i ri, ai dëshironte fëmijë dhe unë nuk doja të bëhesha nënë në moshë të madhe”, ishte shprehur aktorja.
Megjithatë, Manganiello pretendon se historia ishte më e ndërlikuar. Sipas tij, çifti kishte kaluar disa përpjekje të pasuksesshme për fertilizim in vitro dhe kishte shqyrtuar mundësinë e përdorimit të një dhurueseje vezësh. Por gjendja e tij shëndetësore e kishte bërë të rishikonte planet për të pasur fëmijë, pasi kishte frikë se mund të ndërronte jetë dhe ta linte Vergarën të rriste e vetme një fëmijë që nuk ishte biologjikisht i saji.
Problemet shëndetësore të aktorit nisën pak pas martesës së tyre në vitin 2015. Ai tregon se përjetoi dhimbje të forta barku, skuqje të lëkurës me flluska, dhimbje koke, lodhje të vazhdueshme dhe gjakderdhje rektale. Gjatë shtatë viteve, Manganiello humbi rreth 27 kilogramë dhe iu nënshtrua disa kolonoskopive. Në vitin 2016, një ndërhyrje kirurgjikale urgjente bëri të nevojshme heqjen e një pjese të zorrëve dhe përdorimin e përkohshëm të një qeseje stomie.
“Për shtatë vite mendoja se do të vdisja javën tjetër”, rrëfen ai.
Sot, aktori thotë se nuk ka më simptoma dhe nuk merr medikamente, pasi një ndërhyrje tjetër kirurgjikale i riktheu vazhdimësinë e traktit tretës. Aktualisht i fejuar me Caitlin O’Connor, Manganiello shprehet se e ardhmja i duket sërish plot mundësi, përfshirë edhe atë për t’u bërë baba.
“Nëse është e shkruar për mua… Bota është hapur sërish përpara meje”, përfundon aktori.