
Një 35-vjeçar shqiptar ka humbur jetën në një aksident të rëndë në pyjet e Rasorës, në zonën e Bolonjës, në Itali.
Viktima është identifikuar si Shkëlzen Pali, i cili prej disa vitesh jetonte dhe punonte në Itali.
Në momentin e aksidentit, ai ndodhej në pyll së bashku me një koleg, teksa po merreshin me prerjen dhe transportimin e pemëve. Për lëvizjen e trungjeve përdorej një teleferik i lëvizshëm.
Sipas rindërtimit paraprak, aksidenti ndodhi gjatë aktivizimit të mekanizmit të kabllos. Dyshohet se kablloja ishte krijuar në formën e një laku mbi tokë dhe 35-vjeçari, pa e kuptuar rrezikun, kishte futur këmbët brenda saj.
Në momentin që teleferiku u vu në funksion, kablloja u tërhoq dhe e goditi rëndë shqiptarin, duke i shkaktuar plagë fatale.
Autoritetet italiane kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të aksidentit./Versus.al

