Futbollisti shqiptar i përfaqësueses së Zvicrës, Granit Xhaka, është dënuar me gjobë me kusht për marrjen e një certifikate të rreme vaksinimi kundër COVID-19.
Vendimi i Prokurorisë parashikon 50 kuota ditore, me vlerë 3 mijë franga secila. Në total, shuma e gjobës arrin në 150 mijë franga zvicerane, ose rreth 14.75 milionë lekë.
Megjithatë, Xhaka nuk do të duhet ta paguajë gjobën, nëse gjatë periudhës së provës prej dy vitesh nuk kryen një tjetër shkelje. Ndërkohë, futbollisti ka bërë të ditur se shpenzimet e procedurës janë paguar prej tij.
Reagimi i tij ka ardhur përmes një postimi në rrjetet sociale, ku pranon vendimin dhe shprehet se mban përgjegjësi për veprimet e tij.
“Unë qëndroj prapa asaj që kam thënë. Pasi dëshmova plotësisht në Prokurorinë Publike, tani është marrë vendimi”, shkruan Xhaka.
Ai sqaron se dënimi nuk do të ekzekutohet nëse respekton kushtet e vendosura gjatë dy viteve të ardhshme.
Në fund të mesazhit, futbollisti falënderoi edhe personat që i kanë dërguar mesazhe mbështetëse gjatë javëve të fundit, duke theksuar se ato kanë pasur rëndësi për të.














