Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP), Klevis Qose, mori pjesë në Konferencën e 25-të Vjetore Profesionale dhe Asamblenë e Përgjithshme të rrjeteve EPAC/EACN, të zhvilluar në Budva të Malit të Zi.
Aktiviteti u organizua nga Agjencia e Parandalimit të Korrupsionit e Malit të Zi dhe mblodhi përfaqësues të institucioneve homologe antikorrupsion dhe të mbikëqyrjes policore nga vende të ndryshme evropiane.
Konferenca u zhvillua nën moton “Mbrojtja e Integritetit Publik dhe Interesave Financiare të BE-së – Bashkëpunim Praktik kundër Korrupsionit dhe Mashtrimit”, duke u fokusuar në forcimin e integritetit institucional, luftën kundër korrupsionit dhe zgjerimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve.
Në aktivitet morën pjesë edhe përfaqësues të organizatave dhe institucioneve ndërkombëtare, mes tyre UNODC, EPPO, OLAF, GRECO, OECD, Eurojust dhe Europol.



EPAC/EACN është një nga platformat kryesore evropiane që bashkon autoritetet antikorrupsion dhe organet e mbikëqyrjes policore. Nëpërmjet këtij rrjeti mundësohet shkëmbimi i përvojave, praktikave të mira dhe mekanizmave për parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit, si dhe forcimin e integritetit të institucioneve publike.
Gjatë takimit u miratua edhe Deklarata e Budvës, përmes së cilës pjesëmarrësit riafirmuan angazhimin për tolerancë zero ndaj korrupsionit, forcimin e integritetit publik dhe thellimin e bashkëpunimit praktik ndërinstitucional dhe ndërkombëtar.
Sipas AMP-së, pjesëmarrja e Klevis Qoses në këtë aktivitet krijon mundësi për forcimin e marrëdhënieve me homologët evropianë dhe shkëmbimin e praktikave më të mira në fushën e mbikëqyrjes policore, integritetit institucional dhe luftës kundër korrupsionit.
Për Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, bashkëpunimi në kuadër të rrjeteve evropiane të integritetit dhe mbikëqyrjes lidhet edhe me procesin e përafrimit të standardeve institucionale të Shqipërisë me ato të Bashkimit Evropian.
AMP shprehu mirënjohjen për Agjencinë e Parandalimit të Korrupsionit të Malit të Zi dhe Sekretariatin e EPAC/EACN për organizimin dhe mikpritjen e konferencës.


