
Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas miratimit të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara, duke përsëritur kundërshtimin e LDK-së ndaj kësaj nisme.
Përmes një reagimi në Facebook, Abdixhiku pretendon se ndryshimet ligjore nuk sjellin efektin juridik që, sipas tij, u ishte premtuar qytetarëve.
“Po, ju kanë mashtruar! Dhe po, ua kemi thënë!”, shkroi Abdixhiku.
Ai tha se LDK-ja kishte paralajmëruar që më 5 tetor, në Kuvend, për pasojat juridike dhe politike të nismës. Sipas tij, paralajmërimet e partisë nuk u morën në konsideratë dhe LDK-ja u akuzua politikisht si kundërshtare e UÇK-së.
“Do ta kishit kuptuar me kohë, sikur në vend të vërsuljes ndaj LDK-së dhe shpalljes së saj si kundërshtare të UÇK-së, të dëgjonit çfarë po thonim”, u shpreh ai.
Abdixhiku publikoi edhe qëndrimin zyrtar të LDK-së në Kuvend, ku partia argumentonte se lufta e UÇK-së është “e shenjtë”, por një ndryshim i ligjit nuk mund të zhbëjë një aktgjykim apo të anashkalojë Kushtetutën dhe detyrimet ndërkombëtare të Kosovës.
“Nuk mund t’u premtojmë se një votim në Kuvend mund të zhbëjë një aktgjykim apo ta zëvendësojë betejën juridike”, thuhej në deklaratën e LDK-së.
Partia kishte paralajmëruar gjithashtu se ndryshimet mund t’i nënshtroheshin vlerësimit të Gjykatës Kushtetuese dhe se votimi në Kuvend nuk garantonte automatikisht efektin juridik të pretenduar.
LDK-ja nuk mori pjesë në votimin e ndryshimeve, ndërsa nisma u miratua nga Kuvendi i Kosovës.
Pas miratimit, Abdixhiku e riktheu qëndrimin e mëparshëm të partisë, duke shkruar: “Nuk e dëgjuan atëherë, le ta lexojnë me vëmendje sot”.

