Komisioneri i Bashkimit Evropian për Demokracinë, Drejtësinë dhe Sundimin e Ligjit, Michael McGrath, zhvilloi një takim me kryeministrin Edi Rama gjatë vizitës së tij në Shqipëri, ku në fokus ishte procesi i anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian dhe reformat e lidhura me të.
Pas takimit, McGrath u shpreh se Shqipëria e ka vendin në BE dhe e cilësoi vendin tonë si një nga shtetet që po avancon më shpejt në procesin e anëtarësimit.
“Shqipëria i përket BE-së dhe është një nga vendet në krye të procesit të pranimit në union. Qëllimi përfundimtar është në horizont, por ka ende punë të rëndësishme përpara dhe BE do të vazhdojë ta mbështesë Shqipërinë në çdo hap të rrugës”, deklaroi komisioneri evropian.
McGrath tha se gjatë bisedës me kryeministrin Rama u diskutua për zbatimin e reformave në drejtësi dhe forcimin e sundimit të ligjit, të cilat i konsideroi si një element kyç të procesit të anëtarësimit.
Sipas tij, Shqipëria ka shënuar progres dhe ka një objektiv të qartë për integrimin evropian, por ky moment duhet të shoqërohet me vijimin e reformave dhe rezultate konkrete.
“Ekziston një histori e fortë progresi dhe ambicie e qartë. Tani, ky moment duhet të ruhet për të dhënë rezultate të pakthyeshme”, u shpreh McGrath.
Komisioneri evropian përsëriti gjithashtu se Bashkimi Evropian do të vijojë ta mbështesë Shqipërinë gjatë gjithë rrugëtimit të saj drejt anëtarësimit.


