Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka sulmuar në Kuvend deputetin socialist Vullnet Sinaj, pas qëndrimit të këtij të fundit për Reformën Administrativo-Territoriale.
Berisha e fokusoi sulmin te biznesi i Sinajt, rrjeti i supermarketeve “Big Market”, duke e akuzuar deputetin socialist se ka zgjedhur interesat e biznesit të tij në vend të mbrojtjes së Selenicës, bashki që sipas reformës së re pritet të bashkohet me Vlorën.
Në fjalën e tij, Berisha iu referua edhe rasteve të raportuara më herët për produkte të skaduara në disa pika të “Big Market”, duke e përdorur këtë si argument në përplasjen politike me Sinajn.
“E dëgjuat vetë se si midis Big Marketit të tij të mbushura me ushqime të skaduara dhe shpesh herë me probleme të mëdha. Dhe Selenicës, të drejtave të tua për të pasur vetëqeverisjen, ai që s’dua t’i them as emrin këtu, zgjodhi Big Marketin e tij.
Ti ke kaq shumë fitime saqë mund të rrije gjithë jetën në pension dhe të mbroje interesat. Po ku je ti more, çfarë je ti? Të ka ndryshuar pasuria në këtë mënyrë. Si ka mundësi e del këtu? Fjala jote është funerali i Bashkisë Selenicë”, tha Berisha.
