Mazhoranca socialiste ka miratuar në Kuvend Reformën e re Territoriale, duke shkrirë 15 bashki dhe duke e çuar numrin e njësive vendore nga 61 në 46. Me votat e shumicës, të siguruara mes presionit politik dhe akuzave për shantazh ndaj deputetëve të Rilindjes kaloi në parlament ligjin e shumëdebatuar me 85 vota.
Në Kuvend ishin të pranishëm 116 deputetë. Në votimin në parim, projektligji u miratua me 84 vota.
Votimi i sotëm prek drejtpërdrejt strukturën e pushtetit vendor.
15 bashki kanë humbur statusin e tyre si njësi të veçanta vendore, ndërsa territori do të organizohet tashmë në 46 bashki.
Bashkitë e shkrira janë: Fushë-Arrëzi, Klosi, Rrogozhina, Dimal, Poliçani, Patosi, Divjaka, Selenica, Maliqi, Këlcyra, Memaliaj, Libohova, Cërriku, Belshi dhe Prrenjasi.
Qeveria e ka argumentuar reformën me nevojën për një pushtet vendor më eficient, më të qëndrueshëm financiarisht dhe me kapacitete më të mëdha për ofrimin e shërbimeve.
Por, ndërkohë, këshillat bashkiakë të këtyre bashkive kanë kundërshtuar shkrirjen e njësive të tyre me votë, ndërsa banorë të zonave të prekura kanë zhvilluar protesta kundër hartës së re territoriale.
Mazhoranca, pavarësisht kundërshtimeve, ka vendosur të vijojë me reformën, duke e miratuar atë me votat e shumicës parlamentare.
Miratimi është shoqëruar edhe me kundërshtime të forta politike. Opozita ka kritikuar mungesën e konsensusit dhe ka ngritur shqetësime për pasojat që shkrirja e bashkive mund të ketë për përfaqësimin, administrimin dhe ofrimin e shërbimeve për banorët.
Ndërkohë, debati për mënyrën se si u siguruan votat e mazhorancës ka qenë një tjetër pikë e fortë e përplasjes politike, me akuza për presion ndaj deputetëve që kundërshtonin reformën.
Me votimin e sotëm, harta e pushtetit vendor ndryshon zyrtarisht. 15 bashki që ekzistonin deri më tani nuk do të funksionojnë më si njësi të pavarura administrative.
Reforma e re Territoriale shënon kështu një tjetër ndërhyrje të rëndësishme në organizimin e pushtetit vendor, po në mënyrë të njëanshme si ajo e vitit 2015.
Por për banorët e zonave që preken nga shkrirja, debati nuk përfundon me votimin në Kuvend. Kundërshtarët e reformës kanë paralajmëruar se përqendrimi i shërbimeve dhe administratës në qendrat e bashkive më të mëdha mund të thellojë problemet e aksesit në shërbime publike dhe të nxisë më tej largimin e popullsisë nga këto zona.
© SYRI.net