Shqiptarët do të kenë tashmë një hartë të re territoriale. Propozimi i socialistëve për 46 bashki, 77 qytete dhe 387 njësi administrative, u votua në orën 1 pas mesnate, pas një seance maratonë me vetëm 85 votat e mazhorancës dhe mes kaosit të opozitës. Socialistët, dukshëm ishin në ankth për ta përfunduar këtë proces me sukses, pasi me vështirësi kishin arritur të merrnin edhe votat e atyre që u deklaruan kundër, deputetëve Erion Braçe dhe Vullnet Sinaj.
Ndërsa vota kundër e opozitës ishte paralajmëruar, ndonëse përgjatë gjithë ditës në seancë lejuan zhvillimin e diskutimeve normale, ndryshe nga sa pritej. Qetësinë, demokratëve ua prishi ardhja papritur e Belinda Ballukut, zv/kryeministres Belinda Balluku e cila u shfaq kur partia kishte nevojë, vetëm në momentin e votimit.
Tensionet nisën të përshkallëzohen me hedhjen e shisheve të ujit në drejtim të kryetarit të Kuvendit dhe kryeministrit Rama. Nuk munguan as vezët, me Klevis Balliun që objektiv kishte Edi Ramën.
Pasi u njoftua se mes të tijve kishte nga ata që mund t’i rrezikonin miratimin e reformës, Rama u kujdes personalisht që punët t’i shkonin sipas planit. Një mbledhje me tone të ashpra në nisje të seancës së djeshme, e madje duke i treguar derën kujtdo që guxon të dali kundër vendimit të partisë, ndryshoi gjithçka. Vullnet Sinaj reflektoi.
“Në këtë moment, kur Grupi i PS ka marrë vendimin politik për ta votuar këtë ndarje territoriale, përgjegjësia ime morale dhe politike i lë vendin përgjegjësisë morale e politike të forcës sonë politike, vendimmarrjes së PS”, tha Sinaj në foltore.
Edhe Erion Braçe që u përpoq t’i rezistonte deri në fund argumenteve kundër, dhe pasi nuk votoi në parim e nen për nen, votën në tërësi e dha pro, ndërsa arsyet specifike tha se do t’i bëjë publike në një moment të dytë.
“Jam kundër, do e sqaroj nesër. Kam zgjedhur pikërisht njerëzit”, tha Braçe.
Seanca u mbyll pas 14 orësh diskutime, me miratimin e një prej projektligjeve më të rëndësishme, ndarjen territoriale. Megjithatë reforma konsiderohet ende e paplotë. Mazhoranca ftoi opozitën të ulen sërish në tryezën e reformës territoriale, por këtë herë për të hartuar funksionet, kompetencat dhe financat e bashkive.

Reforma Territoriale u miratua me 85 vota pro mes tensioneve në Kuvend.
Pas mbylljes së seancës Braçe tha se do ta sqaroj nesër votën e tij.
“Jam kundër, do e sqaroj nesër”, tha Braçe teksa po largohej nga Kuvendi.







