“Na thanë se qendra do të ishte e hapur deri në orën 13:30, por kur shkuam rreth orës 12:30 e gjetëm të mbyllur.” Ky është denoncimi i një qytetari nga Arrasi i Dibrës për gjendjen në qendrën shëndetësore të zonës.
Sipas tij, pacientët ishin njoftuar se qendra do të qëndronte e hapur deri në orën 13:30. Megjithatë, kur mbërritën rreth një orë më herët, dera kryesore ishte e kyçur dhe në ambientet e qendrës nuk kishte mjekë apo infermierë.
Në pamjet e dërguara në redaksi shihet dera kryesore e qendrës shëndetësore e mbyllur me çelës. Ndërkohë, disa dritare të godinës kanë mbetur të hapura.
Në një tjetër pamje shihen dokumente mjekësore të lëna mbi një stol jashtë godinës, ndërsa pacientët presin në oborr dhe pranë hyrjes së qendrës.
Sipas denoncuesit, mungesa e personelit ka bërë që pacientët të mbeten pa marrë shërbimin mjekësor për të cilin ishin paraqitur.
Qytetari kërkon verifikimin e situatës nga institucionet përgjegjëse dhe sqarimin e arsyeve pse qendra shëndetësore ishte e mbyllur gjatë orarit kur, sipas tij, duhet të ofronte shërbim.