Tragjedia në New York: 23-vjeçarja hidhet nga kati i 15-të bashkë me foshnjën, ish-partneri 31-vjeçar qesh gjatë arrestimit

Nathalie Ramirez, 23 vjeç, humbi jetën pasi dyshohet se u shty nga kati i 15-të i ndërtesës ku banonte në New York. Në momentin e rënies, ajo kishte në krahë foshnjën e saj 5-muajshe, të cilën e kishte me të dyshuarin, 31-vjeçarin Angel Carrasco.

Sipas burimeve policore të cituara nga New York Post, Carrasco kishte shkuar në apartamentin e Ramirezit me një buqetë lulesh, me synimin për t’u pajtuar me të pas një konflikti mes tyre.

Të lidhura

None found

Por, pasi 23-vjeçarja nuk pranoi të rikthehej me të, 31-vjeçari dyshohet se reagoi me zemërim dhe e shtyu atë nga lartësia. Ramirez vdiq në vend si pasojë e rënies, ndërsa foshnja e tyre, Angel Novelti Carrasco-Ramirez, ndodhet në gjendje kritike dhe po lufton për jetën.

Pas ngjarjes, Carrasco la pas lulet që kishte marrë me vete dhe u arrestua pak kohë më vonë.

Të enjten, ai doli para prokurorit duke buzëqeshur. Në atë moment, personat e pranishëm në turmë e ofenduan duke e quajtur “frikacak” dhe i thanë: “Shpresoj të të vrasin në burg”.

Autoritetet bëjnë me dije se ndaj 31-vjeçarit kishte pasur edhe më herët akuza për dhunë ndaj Ramirezit, në dy episode gjatë vitit 2026.

Rasti i parë daton më 5 janar, kur Carrasco u akuzua për sulm të shkallës së tretë. Ai dyshohet se e kishte goditur Ramirezit me shuplakë dhe i kishte shkaktuar mavijosje, pas një debati të nisur kur ajo e kishte përballur për komunikimin me ish-partneren e tij.

Vetëm tri ditë më pas, ndaj tij u ngrit një tjetër akuzë për dhunë në familje. Sipas dyshimeve, ai kishte hyrë me forcë në apartamentin e saj dhe kishte qëndruar brenda duke e pritur.

Dosja kriminale e Carrascos përfshin gjithashtu dy arrestime të vitit 2016: një për përdorim të identitetit të rremë dhe një tjetër për posedim marijuane.


Shtuar më 9.10.2026 07:52

Quantcast