Ndryshimet për Gjykatën Speciale: Çfarë pritet pas votimit në Kuvend?

Më 6 tetor, Kuvendi i Kosovës miratoi ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Ky veprim pasoi dënimin me gjithsej 81 vjet burgim të katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës më 16 shtator për krime lufte. Por miratimi në Kuvend nuk shënon edhe përfundimin e procesit.

Të lidhura

None found

Presidentja e sapozgjedhur e Kosovës, Justina Shiroka Pula, pritet ta nënshkruajë dhe ta shpallë ligjin brenda tetë ditësh nga miratimi i tij në Kuvend.

Nëse ajo nuk vepron gjatë këtij afati, ligji konsiderohet i shpallur dhe publikohet në Gazetën Zyrtare.

Flamur Hyseni, profesor i Drejtësisë në Universitetin e Prishtinës, i thotë Radios Evropa e Lirë se përmbajtja përfundimtare e ndryshimeve do të mund të vlerësohej saktësisht vetëm pas publikimit të ligjit.

Hyseni pohon se mbetet thelbësore që çdo ndryshim ligjor të jetë në përputhje me nenin 162 të Kushtetutës dhe me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës.

Nga ana tjetër, Instituti i Kosovës për Drejtësi vlerëson për REL-in se brenda afatit tetëditor mbetet e hapur mundësia që ndryshimet ligjore të kontestohen në Gjykatën Kushtetuese nga palët e autorizuara, përfshirë të paktën dhjetë deputetë dhe Avokatin e Popullit, ashtu siç parashihet me Kushtetutën e Kosovës.

Kjo, sipas hulumtuesit të IKD-së, Gzim Shala, është veçanërisht e rëndësishme sepse ndryshimet prekin juridiksionin, dënimet dhe procedurat e Dhomave të Specializuara, të cilat nuk rregullohen vetëm me një ligj të zakonshëm.

Neni 162 i Kushtetutës u jep Dhomave të Specializuara status të veçantë. Çdo ndryshim ligjor që eventualisht bie ndesh me këtë nen mund të pretendohet si shkelje kushtetuese.

A e obligon automatikisht Gjykatën ligji i ri?

Ligji për Specialen, me ndryshimet e miratuara në Kuvend, parashikon ndër të tjera kufizimin e mandatit të Gjykatës në Hagë, transferimin e lëndëve që nuk hyjnë në juridiksionin e tyre te institucionet e drejtësisë në Kosovë, si dhe kufizimin e dënimit maksimal në 15 vjet burgim.

Po ashtu, ligji parasheh mundësinë që dënimet të vuhen në Kosovë dhe që të ketë falje presidenciale.

Megjithatë, sipas Hysenit, Dhomat e Specializuara janë pjesë e sistemit juridik të Kosovës dhe veprojnë mbi bazën e Kushtetutës dhe të ligjit të veçantë.

Ai thekson se miratimi i ndryshimeve ligjore nuk nënkupton zbatimin automatik të tyre në procedurat gjyqësore. Sipas tij, ligji duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën, ndërsa zbatimi konkret kërkon respektimin e pavarësisë gjyqësore, hierarkisë së normave juridike dhe detyrimeve ndërkombëtare.

Shala ndërkaq pohon se, në rast se ligji bashkë me ndryshimet shpallet, ai bëhet pjesë e rendit juridik të Kosovës dhe synon të ndryshojë kornizën ligjore të Dhomave të Specializuara.

Por edhe ai beson se Gjykata Speciale nuk obligohet menjëherë ta zbatojë ligjin.

Sipas Shalës, kjo nuk ndodh automatikisht dhe as në mënyrë që të krijojë përshtypjen se Kuvendi mund t’i ndryshojë njëanshëm procedurat në Hagë.

Ai shton se funksionimi i Gjykatës Speciale mbështetet në Amendamentin 24 të Kushtetutës, në marrëveshjen e ratifikuar ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, si dhe në Marrëveshjen e Shtetit Pritës me Holandën.

Marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara, thotë Shala, kanë përparësi ndaj ligjeve të zakonshme. Për këtë arsye, sipas tij, Kosova nuk mund t’i ndryshojë vetëm me ligj të brendshëm obligimet që ka marrë ndaj Holandës, BE-së dhe mekanizmit të Dhomave të Specializuara.

Ai thekson se çdo transferim i personave, dosjeve, provave ose ekzekutim i dënimeve në Kosovë kërkon procedura konkrete, bashkëpunim institucional dhe pajtim me marrëveshjet ndërkombëtare përkatëse.

Vazhdimësia e ligjit të vjetër

Ligji për Dhomat e Specializuara, përfshirë ndryshimet në të, mund të prodhojë efekte juridike vetëm pas shpalljes në Gazetën Zyrtare dhe hyrjes në fuqi.

Hyseni thotë se ndikimi i mundshëm në vendimet dhe procedurat ekzistuese të Dhomave të Specializuara mund të vlerësohet vetëm pasi të dihet përmbajtja përfundimtare e ligjit dhe të shqyrtohet kushtetutshmëria e dispozitave përkatëse.

Deri atëherë, thekson ai, çdo përfundim mbi efektet konkrete juridike do të ishte i parakohshëm.

Nga IKD-ja vlerësojnë se hyrja në fuqi nuk i anulon vetvetiu aktgjykimet apo vendimet e Dhomave të Specializuara.

Vetë teksti i miratuar, sipas Shalës, përcakton se rastet që janë në zhvillim para gjyqtarit të procedurës paraprake, Trupit Gjykues ose Panelit të Apelit vazhdojnë sipas ligjit të vjetër, deri në nxjerrjen e aktgjykimit nga Apeli.

Prandaj, për lëndët që janë në ankesë, ndryshimet nuk e ndërpresin automatikisht procedurën në Hagë dhe nuk e bartin menjëherë atë në Gjykatën Supreme të Kosovës, thotë Shala.

Ai shton se ligji synon zbatim të menjëhershëm të disa dispozitave, përfshirë kufizimin e dënimit maksimal në 15 vjet, vuajtjen e dënimit në Kosovë dhe mundësinë e faljes individuale.

Por, sipas tij, këto dispozita nuk prodhojnë automatikisht pasoja ndaj vendimeve të formës së prerë ose marrëveshjeve për ekzekutimin e dënimit.

Për vendimet përfundimtare, shton Shala, vetë ligji parasheh përdorimin e mjeteve të jashtëzakonshme juridike dhe standardeve kushtetuese, ndërsa çdo efekt duhet të jetë në pajtim edhe me Kushtetutën dhe obligimet ndërkombëtare të Kosovës.


Shtuar më 9.10.2026 08:05

Quantcast