Erion Braçe
TIRANË- Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, i cili ishte një nga zërat më kritikë brenda PS-së ndaj reformës territoriale, por në seancën plenare votoi pro saj. Pas votimit, Braçe deklaroi se vijon të jetë kundër hartës së re, pavarësisht votës së tij në Kuvend. I pyetur nga gazetarët për arsyen e këtij qëndrimi, ai tha se do ta shpjegojë vendimin një ditë më vonë.
“Jam kundër, do e sqaroj nesër”, tha Braçe teksa po largohej nga Kuvendi.
Gazetari: Ç’u bë, zoti Braçe, reformën territoriale…
Erion Braçe: Jam kundër, po prapë reformën…
Gazetari: Pse votuat, pro, zoti Braçe?
Erion Braçe: E shpjegoj nesër.
Gazetari: E konsideruat këtë ditën më të vështirë? Pse vendoset në momentin e fundit të votoni pro?
Erion Braçe: …qytetarët…
Gazetari: Pse vendosët që në momentin e fundit të votoni pro, ju…?
Erion Braçe: Jam kundër, edhe një herë. Jam kundër kësaj harte…
Gazetari: Por nuk zgjodhet qytetari, zgjodhët partinë.
Erion Braçe: Jo, kam zgjedhur eksaktësisht qytetarin.
Reforma Territoriale u miratua me 85 vota pro mes tensioneve në Kuvend. Reforma sjell riorganizimin e 15 bashkive, të cilat do të bashkohen me njësi të tjera vendore. Sipas ndarjes së re, Fushë-Arrëzi do t’i bashkohet Pukës, Klosi Matit dhe Rrogozhina Kavajës. Ndërkohë, Dimal dhe Poliçan do të përfshihen në bashkinë e Beratit, Patosi në Fier dhe Divjaka në Lushnjë. Në jug të vendit, Selenica do t’i bashkohet Vlorës, Maliqi Korçës, Këlcyra Përmetit, Memaliaj Tepelenës dhe Libohova Gjirokastrës.
Ndryshime parashikohen edhe në qarkun e Elbasanit, ku Cërriku dhe Belshi do të bashkohen me Elbasanin, ndërsa Përrenjasi do të jetë pjesë e bashkisë së Librazhdit. Struktura e re administrative do të ruajë 12 qarqet e vendit, ndërsa territori do të organizohet në 46 bashki, 71 qytete përbërëse dhe 387 njësi administrative.
Sipas parashikimeve, zgjedhjet vendore të vitit 2027 pritet të zhvillohen mbi bazën e hartës së re territoriale. Miratimi i reformës u shoqërua me tensione të forta në sallën e Kuvendit. Deputetët e Partisë Demokratike reaguan ashpër gjatë seancës, duke hedhur sende drejt kryeministrit Edi Rama, i cili mbërriti në sallë pak çaste përpara nisjes së votimit./Dosja.al