Rubio paralajmëron nga Lisbona: Lufta në Ukrainë rrezikon të përhapet përtej kufijve

9 Tetor 2026 | 08:14

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka paralajmëruar se lufta e Rusisë kundër Ukrainës mund të përshkallëzohet në një konflikt më të gjerë rajonal, nëse ngecja në luftime e shtyn ndonjërën nga palët luftuese të bëjë ndonjë veprim gjithnjë e më të rrezikshëm.

Duke folur në Lisbonë, në ndalesën e fundit të një vizite në tri vende anëtare të NATO-s, Islandë, Greqi dhe Portugali, Rubio tha se Uashingtoni beson se lufta, në fund, kërkon zgjidhje të negociuar dhe se mbetet i gatshëm t’i lehtësojë bisedimet diplomatike.

Ai foli në të njëjtën ditë kur një sulm rus ndaj dy autobusëve në qytetin ukrainas Kramatorsk vrau të paktën 33 njerëz, sipas autoriteteve vendase.

I pyetur nga Radio Evropa e Lirë për sulmet e Rusisë ndaj Ukrainës dhe sigurinë e krahut lindor të NATO-s, Rubio e cilësoi konfliktin si “luftime shumë të rrezikshme” që kanë ngecur, dhe tha se një luftë si kjo zakonisht përfundon ose përmes bisedimeve, ose përmes përshkallëzimit.

Mundësia e parë kërkon që të dyja palët të bëjnë lëshime të vështira. Ndërsa e dyta mund të përfshijë përshkallëzimin e konfliktit nga Rusia ose Ukraina, në përpjekje për ta ndryshuar baraspeshën ushtarake.

“Kjo është shumë e rrezikshme”, tha Rubio.

Ai paralajmëroi se përshkallëzimi mund të përfshijë sabotime në vendet fqinje anëtare të NATO-s, ndonjë sulm apo veprime të tjera që mund ta zgjerojnë me shpejtësi konfliktin.

Kjo mund ta “shndërrojë shpejt këtë luftë mes dy vendeve në një konflikt rajonal shumë më të gjerë dhe shumë më të rrezikshëm”, tha ai.

“Në fund, ne nuk besojmë se do të ketë zgjidhje ushtarake… Ne mendojmë se kjo luftë duhet të përfundojë dhe se zgjidhja e negociuar është më e shpejtë dhe më e mirë”, theksoi Rubio.

Ministri i Jashtëm i Portugalisë, Paulo Rangel, mbështeti përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës, duke thënë se pushtimi rus shkel të drejtën ndërkombëtare dhe se çdo marrëveshje duhet ta respektojë sovranitetin e Ukrainës.

Rubio gjithashtu e riformuloi debatin për shpenzimet e mbrojtjes së NATO-s, duke i përshkruar rritjet e shpenzimeve ushtarake si investim në mbrojtje, dhe jo thjesht si “shpenzim më të madh”. Ai tha se forcimi i shteteve anëtare të NATO-s do ta forconte aleancën dhe aftësinë e saj parandaluese.

Rubio tha se NATO-ja është në thelb një aleancë mbrojtëse dhe se besueshmëria e saj varet nga kapacitetet e vendeve anëtare.

“NATO-ja është e rëndësishme. Që NATO-ja të ketë rëndësi, ajo duhet të jetë e fortë”, tha ai.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

10 të vdekur nga përleshjet në burgun e Sinaloa të Meksikës, mes tyre edhe një i mitur

Të paktën 10 persona u vranë të enjten, gjatë një përleshjeje brenda një burgu në Sinaloa të Meksikës, njoftoi qeveria e shtetit, ku po shpërthen...
08:07 | 09/10/2026

Agjenti i ICE-së qëllon me armë një burrë në New Jork, përplasje politike në Uashington

Një agjent i Shërbimit të Emigracionit dhe Doganave të SHBA-së (ICE) qëlloi me armë një burrë në Bronx, në qytetin e Nju-Jorkut. Departamenti i Sigurisë...
08:02 | 09/10/2026

SHBA planifikon transmetimin e drejtpërdrejtë të një ekzekutimi me pushkatim, nisma ngre pikëpyetje ligjore

Departamenti i Mbrojtjes i SHBA-së planifikon të transmetojë drejtpërdrejt ekzekutimin me pushkatim të Nidal Hasan, ish-majorit të Ushtrisë Amerikane, i dënuar për vrasjen e 13...
07:40 | 09/10/2026