Pas më shumë se 12 orësh negociata, arrestohet 60-vjeçari gjerman që vrau dy zyrtarë gjatë kontrollit për armë

Ngjarja ndodhi pasditen e së enjtes, më 8 tetor, në Berngau, kur dy punonjës të administratës rajonale të Neumarkt shkuan në banesën e një 60-vjeçari gjerman për të kontrolluar nëse armët mbaheshin dhe ruheshin në përputhje me ligjin.

Të lidhura

None found

Sipas policisë, 60-vjeçari hapi zjarr ndaj dy zyrtarëve, duke i vrarë të dy, dhe më pas u mbyll brenda banesës. Fillimisht autoritetet raportuan se një burrë kishte vdekur dhe një grua ishte plagosur rëndë, por më vonë konfirmuan se edhe punonjësja e dytë kishte ndërruar jetë.

Pas një operacioni policor që përfshiu më shumë se 12 orë negociata, 60-vjeçari u arrestua. Forcat speciale ndërhynë në banesë rreth orës 02:20 të mëngjesit të së premtes dhe arritën ta vënë në pranga të dyshuarin. Në aksion morën pjesë rreth 150 efektivë policie dhe 90 pjesëtarë të shërbimeve të shpëtimit dhe mbështetjes, si dhe u angazhua një helikopter policie.

Gjatë operacionit, policia u përpoq ta bindte të dyshuarin të dorëzohej paqësisht. Autoritetet kishin deklaruar se ishin në komunikim me të dhe se qëllimi ishte shmangia e një ndërhyrjeje të dhunshme.

Motivet e sulmit mbeten të paqarta. Sipas mediave gjermane, 60-vjeçari mund të ishte një snajper amator pa precedentë penalë, por ky informacion nuk është konfirmuar zyrtarisht nga autoritetet.

Policia kishte rrethuar zonën gjatë operacionit dhe bëri të ditur se banorët jashtë perimetrit të sigurisë nuk rrezikoheshin. Hetimet po vazhdojnë për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes.

Berngau është një komunitet rural me rreth 2,600 banorë, në rajonin e Pfalzit të Sipërm, në Bavari.


Shtuar më 9.10.2026 08:30

Quantcast