web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Ndotja në nivele alarmante/ Bashkia e Tiranës pa një plan menaxhimi të Liqenit Artificial

9 Tetor 2026, 08:31, Denoncim CNA


Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit ka zbuluar të dhëna shqetësuese për nivelin e ndotjes së Liqenit Artificial të Tiranës në raportin përfundimtar të auditimit “Auditim Tematik i Përputhshmërisë ‘Ndotja e Liqenit Artificial të Tiranës’”.

KLSH ka audituar veprimtarinë e institucioneve si Bashkia Tiranë dhe institucionet e varësisë, në lidhje me ndotjen e shfaqur në Liqenin Artificial të Tiranës, duke krahasuar me kriteret e vlerësimit, përfshirë aktet ligjore dhe nënligjore që rregullojnë veprimtaritë e tyre.

Më konkretisht nga auditimi ka rezultuar se Bashkia Tiranë nuk ka hartuar një plan menaxhimi të Liqenit Artificial të Tiranës, për ndarjen e detyrave, bashkëpunimin dhe bashkëveprimin e institucioneve të qeverisjes qendrore dhe lokale, për të verifikuar e ndaluar të gjitha shkarkimet e ujërave të përdorura urbane, industriale që mund të vijnë si rrjedhojë e aktivitetit brenda territorit te Parkut të Madh të Liqenit Artificial të Tiranës (PMLAT) ose të përzierjes së jashtëligjshme të ujërave të zeza me kanalet e ujërave të bardha/ të shiut që shkarkojnë në liqen.

Ndotja në nivele alarmante/ Bashkia e Tiranës pa një plan

“Mbështetur në ISSAI 4000 “Standardet Ndërkombëtare të Auditimit të Përputhshmërisë”, Rregulloren e Procedurave të Auditimit të KLSH-së dhe Manualin e Auditimit të Përputhshmërisë, audituam veprimtarinë e institucioneve, si Bashkia Tiranë dhe institucionet e varësisë dhe Agjencia Kombëtare e Mjedisit, në lidhje me ndotjen e shfaqur në Liqenin Artificial të Tiranës, duke krahasuar me kriteret e vlerësimit, përfshirë aktet ligjore dhe nënligjore që rregullojnë veprimtaritë e tyre.

Nga auditimi në terren, referuar në evidencat e auditimit dhe dokumentacionin e vënë në dispozicion ka rezultuar se sistemi i menaxhimit, koordinimit institucional dhe infrastrukturës ekologjike në përgjithësi nuk ka funksionuar, duke e lënë hapësirën e LAT të pambrojtur ndaj ndotjes në mënyrë sistematike. Ne besojmë se dëshmitë e evidencës së auditimit që kemi marrë janë të mjaftueshme dhe të përshtatshme për të dhënë konkluzionet si vijojnë:

Parku i Madh i Liqenit Artificial të Tiranës përfaqëson një aset të rëndësishëm natyror dhe social për qytetin e Tiranës. Për të siguruar që ky aset (PMLAT së bashku me basenin e liqenit) të ruhet, pastrohet dhe të zhvillohet në mënyrë të qëndrueshme për gjeneratat e ardhshme, nevojiten masa urgjente dhe një strategji afatgjatë. Nga auditimi i KLSH-së ka rezultuar se:

Bashkia Tiranë, e cila është në rolin e administratores së PMLAT, nuk ka hartuar një plan menaxhimi të Liqenit Artificial të Tiranës, për ndarjen e detyrave, bashkëpunimin dhe bashkëveprimin e institucioneve të qeverisjes qendrore dhe lokale, për të garantuar zhvillimin e qëndrueshëm të Liqenit artificial të Tiranës, për të verifikuar e ndaluar të gjithë shkarkimet e ujërave të përdorura urbane, industriale, etj., që mund të vijnë si rrjedhojë e aktivitetit brenda territorit te PMLAT ose të përzierjes së jashtëligjshme të ujërave të zeza me kanalet e ujërave të bardha/ të shiut që shkarkojnë në liqen”, thuhet në raportin e KLSH-së.

Një tjetër shqetësim i evidentuar në raportin e KLSH-së është mungesa e verifikimeve nga Bashkia Tiranë dhe institucionet në varësi të saj. Bëhet me dije se brenda territorit të Liqenit të Tiranës, bazuar në kontratat e lidhura me UKT operojnë 10 subjekte private, ndërsa sipas përgjigjeve të Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit (APR) rezulton se operojnë 14 subjekte.

Këto biznese në mungesë të rrjetit të kanalizimeve brenda territorit të PMLAT, operojnë me zgjidhje individuale (si gropa septike), të cilat janë të pamonitoruara nga institucionet shtetërore dhe këto të fundit nuk kanë asnjë informacion për vendndodhjen dhe gjendjen e tyre.

Ndotja në nivele alarmante/ Bashkia e Tiranës pa një plan

Pjesë nga raporti i KLSH-së:

Liqeni Artificial i Tiranës nuk ka një sistem qarkullues uji, por furnizohet vetëm me prurjen natyrore (ujërat e shirave);

Bashkia Tiranë dhe institucionet e varësisë (APR, UKT, DPN2) nuk disponojnë një hartë/ plan shtrirje të rrjetit/sistemit të kanaleve të ujërave të shiut, të cilat derdhen në liqen. Nga auditimi u konstatua se tombinat e këtyre kanaleve janë të dëmtuara dhe nëpërmjet tyre evidentohen shkarkime të ujërave të ndotura.

Territori i PMLAT nuk mbulohet nga rrjeti i kanalizimit, rrjedhimisht subjektet që operojnë brenda territorit të PMLAT-së e zgjidhin individualisht largimin e ujërave të ndotura urbane (p.sh. nëpërmjet gropave septike). UKT dhe institucionet e tjera të varësisë së Bashkisë Tiranë nuk kanë informacion mbi mënyrën e operimit të këtyre subjekteve lidhur me largimin e ujërave të ndotura urbane;

Brenda territorit të Liqenit të Tiranës bazuar në kontratat e lidhura me UKT operojnë 10 subjekte private. Ndërkohë sipas përgjigjeve të APR rezulton se operojnë 14 subjekte, pra ndërmjet institucioneve nuk ka një evidencë të saktë të numrit të subjekteve të cilat operojnë në zonën e PMLAT, gjithashtu nga verifikimet në terren i grupit të auditimit rezultoi se brenda PMLAT ka më shumë se 14 subjekte, të cilat, në mungesë të rrjetit të kanalizimeve brenda territorit të PMLAT, operojnë me zgjidhje individuale (si gropa septike), të cilat janë të pamonitoruara nga institucionet shtetërore; 

Asnjë nga institucionet e varësisë së Bashkisë Tiranë, përfshirë APR-në që administron PMLAT, nuk kanë informacion mbi vendndodhjen dhe gjendjen teknike të gropave septike

Sipas raportit të KLSH-së, në Liqenin Artificial bëhet me dije se nuk janë kryer asnjëherë analiza mikrobiologjike, por vetëm analiza fiziko-kimike. Ndërkohë edhe pse është evidentuar se në Liqen ka shkarkime të ujërave të ndotura urbane të patrajtuara, nuk është marrrë asnjë masë konkrete për evidentimin e shkaqeve dhe shkaktarëve të ndotjes, marrjen e masave për ndërprerjen e menjëhershme të shkaqeve që shkaktojnë ndotje, si dhe përmirësimin e situatës mjedisore në liqenin artificial të Tiranës.

Në lidhje me ndotjen e shfaqur në Liqen nuk janë kryer asnjëherë analiza mikrobiologjike, por vetëm analiza fiziko-kimike;

Edhe pse nga strukturat shtetërore është evidentuar që në muajin tetor 2024 (pra rreth 6 muaj më parë) se në Liqenin Artificial të Tiranës ka shkarkime të ujërave të ndotura urbane të patrajtuara, aktualisht përveç korrespondencave shkresore, nuk janë marrë masa konkrete për evidentimin e shkaqeve dhe shkaktarëve të ndotjes, marrjen e masave për ndërprerjen e menjëhershme të shkaqeve që shkaktojnë ndotje, si dhe përmirësimin e situatës mjedisore në liqenin artificial të Tiranës. Bashkëpunimi ndërinstitucional për zgjidhjen e problematikës nuk ka funksionuar, fakt i shprehur edhe nga vetë strukturat e APR gjatë auditimit.

Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit, si struktura e varësisë së Bashkisë Tiranë që menaxhon parkun, nuk ka një strukturë në përmbushje të funksioneve kontrolluese, inspektuese, evidentuese të veprimtarive të jashtëligjshme brenda territorit të PMLAT-së;

APR-ja në asnjë rast nuk ka evidentuar problematika që mund të shkaktonin ndotje dhe nuk ka kërkuar bashkëpunim nga strukturat e qeverisjes qendrore për analizimin e cilësisë së ujit në liqenin e Tiranës, përpara shfaqjes në sipërfaqe të ndotjes dhe marrjes së vëmendjes mediatike të situatës.

Për periudhën objekt auditimi 2021–2024, Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit ka shpenzuar 10,665,000 lekë për pastrimin e basenit të Liqenit Artificial të Tiranës. Ky 10 pastrim ka konsistuar vetëm në pastrim mekanik, pra heqje e plastikave nga sipërfaqja e liqenit, e bimësisë së tepërt, etj., por jo i lidhur me reduktimin/ eliminimin e elementëve që shkaktojnë ndotje në ujin e liqenit, të cilët janë në nivele të larta.

Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit ka realizuar procedurën e blerjes së mallrave me vlerë nën 100,000 lekë, për 10,000 copë rasat peshku, duke cituar “...në funksion të përmirësimit të ekosistemit ujor...”. Për të iniciuar këtë blerje, në dokumentacionin e vënë në dispozicion nuk administrohej një relacion teknik nga specialistë të fushës. Nga një verifikim rutinë i grupit të auditimit në datën 06.01.2025, rreth një muaj pas depozitimit të rasatit të peshkut në liqen (referuar PV të datës 04.12.2024), u konstatuan në brigjet e liqenit tufa peshqish të mbledhur në sipërfaqe (pasqyruar në fotot 10-11), çka mund të jetë pasojë e mungesës së oksigjenit në trupin ujor të Liqenit Artificial të Tiranës.

AKM-ja nuk ka përmbushur detyrimin e monitorimit të treguesve të cilësisë së ujit në Liqenin Artificial të Tiranës, edhe pse ky stacion është i përfshirë në rrjetin e stacioneve të monitorimit, në Programet Kombëtare të Monitorimit të Mjedisit./ CNA





Lajmet e fundit nga