Pas miratimit të reformës territoriale me 85 vota pro në Kuvend, ish-deputeti demokrat Ervin Salianji flet sërish për një ‘pakt të heshtur’ mes kryeministrit Edi Rama dhe kreut të PD-së, Sali Berisha. Ndonëse opozita e kundërshtoi ashpër në Kuvend hartën e re që shkrin 15 bashki, Salianji akuzon lidershipin e PD-së se me dështimet e tij po i zgjat pushtetin Ramës, ndërsa kërkon dorëheqjen e Berishës.
“Rama vazhdon me akte që shkatërrojnë Shqipërinë, Berisha me apo pa vetëdije po i bëhet krah! Edi Rama është e keqja e madhe që po mbyt Shqipërinë. Por një opozitë që nuk mobilizon, nuk bashkon dhe nuk ofron alternativë, nuk mund ta mundë atë. Përkundrazi, dështimet e saj i zgjasin pushtetin”, shrkuan Salianji.
Salianji kritikon edhe përfshirjen e demokratëve në procesin e reformës territoriale, duke thënë se drejtuesit e opozitës e shoqëruan Ramën në takime dhe komisione, pa arritur asnjë rezultat konkret për qytetarët.
Sipas tij, pjesëmarrja e ulët në protestën e thirrur nga Berisha tregoi krizën e besimit që ka përfshirë lidershipin demokrat.
Reagimi i plotë i Ervin Salianjit
Rama vazhdon me akte që shkatërrojnë Shqipërinë, Berisha me apo pa vetëdijë po i bëhet krah!
Edi Rama kaloi sot një tjetër akt të masakrimit të territorit, duke i dhënë një goditje të rëndë të ardhmes së Shqipërisë dhe duke thelluar një model që nxit shpopullimin e vendit.
Qeveria e tij është zhytur në skandale të njëpasnjëshme, por çfarë bëri lidershipi i opozitës? E shoqëroi Ramën në çdo qytet, u ul në komisione dhe mori pjesë në procese që nuk prodhuan asnjë rezultat konkret për shqiptarët.
Sot, pas thirrjes së Sali Berishës për protestë, mungesa e pjesëmarrjes ishte një sinjal i fortë i krizës së besimit që ka kapluar lidershipin opozitar. Nuk mjafton të shpallesh opozitë. Duhet të frymëzosh njerëzit, të krijosh shpresë dhe të prodhosh ndryshim!
Edi Rama është e keqja e madhe që po mbyt Shqipërinë. Por një opozitë që nuk mobilizon, nuk bashkon dhe nuk ofron alternativë, nuk mund ta mundë atë. Përkundrazi, dështimet e saj i zgjasin pushtetin.
Opozita nuk mund të vazhdojë të jetë peng i një lidershipi që kalon nga katastrofa në katastrofë, ndërsa vendi humbet dinjitetin, njerëzit dhe të ardhmen.
Shqipëria ka nevojë për një opozitë të bashkuar, të besueshme dhe fituese. Për këtë duhet të hapet rruga e ndryshimit, e riorganizimit dhe e një lidershipi që frymëzon shqiptarët.
Nëse ju ka mbetur sadopak ndërgjegje politike dhe nëse interesi publik është mbi karrigen tuaj, bëni aktin e fundit të përgjegjësisë:
JEPINI DORËHEQJEN!
Shqipëria nuk mund të presë më. As opozita nuk mund të vazhdojë të dështojë!








Komente
Komento