Ekuadori shkatërron rrjetin e trafikut të kokainës drejt Evropës, 21 të arrestuar, sekuestrohen 45 tonë drogë

Ekuadori shkatërron rrjetin e trafikut të kokainës drejt Evropës, 21 të arrestuar, sekuestrohen 45 tonë drogë

08:33, 09/10/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Policia e Ekuadorit, në bashkëpunim me Europolin dhe autoritetet spanjolle, ka shkatërruar një rrjet të madh ndërkombëtar të trafikut të kokainës drejt Evropës.

Operacioni ka përfunduar me arrestimin e 21 personave, mes tyre edhe dy oficerë policie në detyrë, ndërsa hetimet e nisura në vitin 2024 kanë çuar në sekuestrimin e rreth 45 tonëve kokainë, me vlerë të përllogaritur prej 1.7 miliardë dollarësh.

Autoritetet ekuadoriane njoftuan të enjten, më 8 tetor, rezultatet e operacionit të koordinuar, ku morën pjesë policia e Ekuadorit, policia spanjolle, xhandarmëria spanjolle dhe Europoli.

Sipas ministrit të Brendshëm të Ekuadorit, John Reimberg, organizata kriminale përdorte kompani eksporti si mbulesë për aktivitetet e saj të paligjshme, përfshirë trafikimin e drogës dhe pastrimin e parave.

Rrjeti kriminal shfrytëzonte tregtinë e ligjshme të eksportit nga Ekuadori për të transportuar sasi të mëdha kokaine drejt tregjeve evropiane. Sipas autoriteteve, të paktën 15 kompani eksporti dyshohet se ishin të përfshira në këtë aktivitet të paligjshëm.

Kompanitë ushtronin veprimtari në tregtinë e frutave, kakaos, peshkut dhe drurit. Lënda narkotike fshihej në kontejnerët me këto produkte, me qëllim shmangien e kontrolleve gjatë transportit.


dër destinacionet kryesore të ngarkesave ishin Spanja, Portugalia, Belgjika dhe Holanda.

Një nga personat që ka tërhequr vëmendjen e autoriteteve është Jackson Sabrano, i cili, sipas ministrit të Brendshëm, konsiderohet si një nga financuesit kryesorë të udhëheqësit të organizatës kriminale Los Lobos, të njohur ndryshe si “Ujqërit”.

Kjo bandë konsiderohet ndër organizatat kriminale më të fuqishme në Ekuador dhe është e përfshirë kryesisht në trafikun e drogës dhe shfrytëzimin e minierave të paligjshme.

Organizata dyshohet se drejtohet nga Wilmer Chavarria, i njohur me nofkën “Pippo”, i cili ndodhet në burg në Spanjë që prej vitit 2025. Ai akuzohet në Ekuador për përfshirje në planifikimin e vrasjes së kandidatit presidencial Fernando Villavicencio, i vrarë në vitin 2023.

Ministri Reimberg njoftoi arrestimin e Sabranos përmes një postimi në platformën X, duke theksuar rëndësinë e goditjes së rrjeteve financiare që mbështesin organizatat kriminale.

Hetimet nisën pas sekuestrimit të 13 tonëve kokainë në Spanjë

Hetimi ndërkombëtar nisi në vitin 2024, pas zbulimit të 13 tonëve kokainë të fshehura në një ngarkesë me banane, e cila kishte mbërritur nga Ekuadori në portin e Algeciras, në jug të Spanjës.

Ky sekuestrim shërbeu si pikënisje për hetime më të gjera, përmes të cilave autoritetet identifikuan kompanitë dhe individët që dyshohet se ishin të përfshirë në transportin e lëndëve narkotike.

Kontrollet dhe hetimet e mëtejshme në vende të ndryshme çuan në sekuestrime të tjera, duke e çuar sasinë totale të kokainës së zbuluar në rreth 45 tonë, me një vlerë të përllogaritur prej 1.7 miliardë dollarësh.

Ekuadori, një pikë kyçe e trafikut ndërkombëtar të kokainës

Vitet e fundit, Ekuadori është shndërruar në një nga pikat kryesore të tranzitit të kokainës në Amerikën Latine. Pozicioni i tij gjeografik, mes Kolumbisë dhe Perusë, dy nga prodhuesit më të mëdhenj të kokainës në botë, e bën vendin një nyje të rëndësishme për rrjetet ndërkombëtare të trafikimit.

Sipas vlerësimeve të përmendura nga autoritetet, rreth 70% e kokainës së prodhuar në Kolumbi dhe Peru kalon përmes Ekuadorit përpara se të dërgohet drejt tregjeve të huaja.

Vendi po përballet gjithashtu me një rritje të dhunës kriminale, ndërsa organizatat e trafikut të drogës dhe bandat lokale luftojnë për kontrollin e rrugëve të kontrabandës dhe të aktiviteteve të tjera të paligjshme.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco