Messi mes miliarderëve të sportit, pasuria e tij arrin në 1.1 miliardë dollarë
Lionel Messi vazhdon të shkruajë histori, jo vetëm në fushën e futbollit, por edhe në aspektin financiar. Sipas vlerësimeve të revistës “Forbes”, pasuria e yllit argjentinas arrin në 1.1 miliardë dollarë, duke e vendosur mes sportistëve më të pasur në botë.
Pas triumfit me Argjentinën në Kupën e Botës 2022, ku shkëlqeu në finalen historike kundër Francës, Messi ka konsoliduar statusin e tij si një prej futbollistëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave. Megjithatë, suksesi i tij nuk kufizohet vetëm te trofetë dhe rekordet.
Gjatë më shumë se 20 viteve si profesionist, të ardhurat bruto të Messit vlerësohen në rreth 1.8 miliardë dollarë. Sipas shifrave të raportuara, rreth 1.2 miliardë dollarë kanë ardhur nga pagat dhe përfitimet e lidhura me kontratat me klubet, ndërsa 600 milionë dollarë të tjera nga sponsorizimet, marrëveshjet tregtare dhe aktivitetet jashtë futbollit.
Barcelona ishte klubi ku argjentinasi u shndërrua në legjendë, përpara aventurës te Paris Saint-Germain dhe transferimit në Inter Miami. Messi zgjodhi kampionatin amerikan, pavarësisht ofertave të majme nga Arabia Saudite. Kontrata e tij me Inter Miami është parashikuar të zgjasë deri në fund të vitit 2028.
Përfitimet e tij vjetore vlerësohen nga 70 deri në 80 milionë dollarë, duke përfshirë pagën dhe marrëveshje të tjera ekonomike. Përveç kësaj, mundësia e përfshirjes në pronësinë e klubit pas tërheqjes nga futbolli mund t’i hapë një tjetër rrugë për të shtuar pasurinë.

