EMRI/ Pjesë e një grupi kriminal, arrestohet në Itali 37-vjeçari, pritet ekstradimi

Një 37-vjeçar shqiptar, i shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe i dyshuar si pjesëtar i një grupi kriminal, është kapur në Asti të Italisë, në kuadër të operacionit “The Wanted”. Policia bën me dije se arrestimi u krye në bashkëpunim me homologët italianë, me qëllim ekstradimin e tij në Shqipëri.
I arrestuari, Aldo (Aleksander) Baho, lindur në Elbasan, dyshohet se në vitin 2022, në kuadër të grupit kriminal ku bënte pjesë, ka ndërmjetësuar për vrasjen e shtetasit L. M., ngjarje që mbeti në tentativë.
Sipas Policisë së Shtetit, më 29 shtator 2026, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka caktuar 37-vjeçarit masën e sigurisë “Arrest në burg”. Ai dyshohet për veprat penale “Vrasja” e mbetur në tentativë, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, si dhe për vepra që lidhen me armët dhe veprimtarinë e organizuar kriminale.
Kapja e tij u bë e mundur falë bashkëpunimit mes specialistëve të Policisë së Shtetit dhe shërbimeve të Guardia di Finanza-s në Pisa.
Ndërkohë, vijon bashkëpunimi mes Interpol Tiranës dhe Interpol Romës për të përfunduar procedurat e ekstradimit të 37-vjeçarit drejt Shqipërisë.




