POLITIKË /

15 bashkitë që shuhen pas miratimit të Territoriales, çfarë ndryshon me ndarjen e re territoriale

Shkruar nga Versus

15 bashkitë që shuhen pas miratimit të Territoriales,

Pas seancës maratonë në Kuvend, u miratua me 85 vota pro reforma administrativo-territoriale. Me këtë reformë, qeveria pretendon krijimin e njësive vendore më të mëdha dhe më të qëndrueshme financiarisht duke reduktuar numrin e bashkive nga 61 në 46 pavarësisht se raporti i Komisionit Europian doli në përfundimin se ky bashkim territorial jo domosdoshmërisht do të krijojë shërbime më të mira.

Nga ana tjetër, opozita votoi kundër këtij propozimi të PS duke propozuar ndarje territoriale me 100 bashki me arsyetimin se pushteti vendor duhet të jetë më pranë qytetarëve.

Tanimë me miratimin e ndarjes së re territoriale, 15 bashki do të humbasin statusin si njësi të pavarura të vetëqeverisjes duke u bashkuar me bashki më të mëdha.

Dymbëdhjetë vjet pas reformës së vitit 2014, që reduktoi numrin e njësive vendore nga 373 në 61 bashki, Shqipëria po shkon drejt një konsolidimi të mëtejshëm territorial.

Konkretisht:

Fushë-Arrëzi bashkohet me Pukën, Klosit me Matin dhe Rrogozhina me Kavajën. Në qarkun e Beratit, Dimali dhe Poliçani bashkohen me Beratin, ndërsa në qarkun e Fierit, Patosi bashkohet me Fierin dhe Divjaka me Lushnjën.

Në jug të vendit, Selenica bashkohet me Vlorën, Këlcyra me Përmetin, Memaliaj me Tepelenën dhe Libohova me Gjirokastrën. Në qarkun e Korçës, Maliqi bashkohet me Korçën, ndërsa në qarkun e Elbasanit, Cërriku dhe Belshi bashkohen me Elbasanin dhe Përrenjasi me Librazhdin.

Më herët banorët e këtyre bashkive kanë dalë në protesta të vazhdueshme duke kundërshtuar propozimin e PS. Madje në Poliçan qytetarët grisën ‘teserat’ e anëtarësisë në PS duke treguar edhe njëherë kundërshtimin e tyre. Pavarësisht se edhe këshillat bashkiakë votuan kundër propozimit, PS vijoi me miratimin e reformës duke pretenduar se e ka mandatin nga qytetarët për të ndërmarrë vendime të tilla. Versus.al

Poll