Aktualitet Politikë

Reforma territoriale/ Rama: Shqipëria mori një shtysë modernizuese!

Pas miratimit në Kuvend të Reformës Territoriale, kryeministri Edi Rama ka reaguar përmes një postimi në platformën X, ku e ka cilësuar votimin si një tjetër shtysë modernizuese për Shqipërinë.

Shefi i qeverisë iu referua debateve të brendshme politike dhe, siç i cilësoi, “spekulimeve nga jashtë”, duke argumentuar se pavarësisht vështirësive dhe kundërshtive, vendimi i Kuvendit përbën një hap përpara për vendin.

Kryeministri vuri në dukje se rezultati i votimit tregoi edhe një herë forcën e Partisë Socialiste.

Përtej të gjithë debateve të brendshme, spekulimeve të jashtme dhe peripecive të një kohe të ngatërruar nga gjithfarë duarsh të pista, ca të dukshme e ca të padukshme po jo të pazbuluara tanimë, votimi i mbrëmshëm në Kuvend i dha Shqipërisë një tjetër shtysë modernizuese.

Dhe nga ana tjetër, u tregoi edhe njëherë të gjithë atyre që e kishin të nevojshme, se nuk duhet të bëjnë asnjëherë ‘hesape pa hanxhinë’ me Partinë Socialiste.

Reagimi i Ramës vjen pas miratimit të Reformës Territoriale në Kuvend me 85 vota pro dhe 34 kundër. Reforma parashikon reduktimin e numrit të bashkive në Shqipëri nga 61 në 46, përmes shkrirjes së 15 njësive të qeverisjes vendore.

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.