Një e-mail me përmbajtje kërcënuese u është dërguar këtë të premte rreth 150 adresave elektronike të institucioneve të ndryshme në Shqipëri. Në mesazhe pretendohet se është vendosur një mjet shpërthyes në ambientet e institucioneve, ndërsa paralajmërohen hakmarrje ndaj tyre.
Në mesazhet e dërguara, autori prezantohet si “udhëheqës i milicisë serbe” dhe përdor gjuhë kërcënuese ndaj institucioneve që kanë marrë komunikimet.
“Përshëndetje. Jam udhëheqësi i Milicisë Serbe. Kemi ardhur të hakmerremi ndaj jush. Sapo kam vendosur personalisht një mjet shpërthyes në ndërtesën tuaj. Shpërthimi do të ndodhë pas një ore. Nga ju do të mbeten vetëm copa mishi. Do të vrasim shqiptarë derisa ta njihni Kosovën si territor të Serbisë. FAT TË MBARË”, thuhet në përmbajtjen e e-mailit.
Ndërkohë, mësohet se në disa prej institucioneve që kanë marrë mesazhet, kanë dalë jashtë ambienteve. Ndërsa policia ka nisur punën për identifikimin e personit që dyshohet se qëndron pas dërgimit të e-maileve.
