Mucunski: Qëndrimet me Bullgarinë për çështjet thelbësore mbeten ende të largëta

Në kuadër të Takimit Ministror në Sofje, ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme Timço Mucunski u takua me homologen e tij bullgare Velislava Petrova Çamova. Gjatë bisedës u diskutuan marrëdhëniet dypalëshe, rruga e Maqedonisë drejt Bashkimit Evropian, mungesa e besimit mes dy vendeve dhe nevoja për ta kapërcyer atë përmes dialogut, si dhe Plani i Veprimit për Minoritetet.

Të lidhura

None found

Pas takimit me Petrova Çamova, Mucunski zhvilloi edhe një bisedë të veçantë me Komisioneren Evropiane për Zgjerim, Marta Kos.

Në deklaratën e tij për mediat pas këtyre dy takimeve, Mucunski theksoi se biseda me ministren bullgare ishte konstruktive dhe u zhvillua në një frymë pozitive, por shtoi se qëndrimet e dy vendeve për çështjet thelbësore vazhdojnë të jenë të largëta. Ai bëri të ditur se palët ranë dakord që dialogu të vijojë për të gjitha temat me interes të përbashkët.

“Qëndrimet e Maqedonisë dhe Bullgarisë në lidhje me çështjet që lidhen me integrimin evropian janë ende shumë të largëta, por takimi i sotëm me ministren e jashtme bullgare Velislava Petrova Çamova ishte konstruktiv dhe u zhvillua në një frymë pozitive, dhe u ra dakord që dialogu midis dy vendeve të vazhdojë për të gjitha çështjet me interes të përbashkët”, tha Mucunski në Sofje.

Ai vlerësoi se midis dy palëve ekziston një shkallë e lartë mosbesimi në raport me procesin e integrimit evropian të Maqedonisë, veçanërisht për sa i përket parashikueshmërisë së tij.

“Takimi i sotëm ishte konstruktiv, sipas mendimit tim, në një frymë pozitive. Gjithashtu duhet të jem absolutisht transparent dhe i qartë, nuk është se kemi zgjidhur ndonjë çështje thelbësore, qëndrimet janë ende shumë të largëta, nuk ka dilemë për këtë, por biseduam në një frymë pozitive për zhvillimin e një dialogu në periudhën e ardhshme midis dy vendeve dhe se dialogu padyshim do të vazhdojë”, tha Mucunski.


Shtuar më 9.10.2026 10:05

Quantcast