Vjedhje spektakolare në Itali, grabiten 30 mijë shishe verë me vlerë 5 milionë euro

09/10/2026 10:11

Një grabitje e përmasave të jashtëzakonshme është regjistruar në Toskanë të Italisë, ku një grup prej të paktën shtatë personash ka vjedhur rreth 30 mijë shishe verë të cilësisë së lartë, me një vlerë totale prej 5 milionë eurosh. Ngjarja ka ndodhur në ambientet e kantinës së kompanisë së njohur të verërave Marchesi Antinori, në zonën e Kortonës, në provincën e Arezzos.

Sipas raportimeve të mediave italiane dhe britanike, mes tyre “Corriere della Sera” dhe “Financial Times”, ky konsiderohet si një nga vjedhjet më të mëdha të verës për nga vlera e mallit të grabitur në Itali.

Grabitësit kanë marrë shishe të markave prestigjioze Solaia, Tignanello dhe Guado al Tasso, të gjitha të prodhimit të vitit 2023. Mes tyre, rreth 10 mijë shishe i përkasin verës Solaia. Çmimi i një shisheje varion nga 120 deri në 300 euro.

Si u realizua grabitja?

Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur gjatë natës së së dielës. Autorët fillimisht kanë çaktivizuar sistemin e alarmit dhe kanë nxjerrë jashtë funksionit kamerat e sigurisë të instaluara në kantinë.

Më pas, ata kanë hyrë në ambientet e kompanisë me dy kamionë dhe kanë përdorur pirunët ngritës të kantinës për të ngarkuar shishet e verës. Vjedhja u zbulua vetëm të hënën në mëngjes, kur punonjësit mbërritën në punë dhe konstatuan mungesën e mallit.

Administratori i kompanisë, Renzo Cotarella, e ka cilësuar grupin si mjaft të përgatitur, duke ngritur dyshimet se mund të bëhet fjalë për të njëjtët autorë që kanë goditur edhe kantina të tjera në Itali gjatë muajve të fundit.

Frika se ku do të përfundojnë shishet e grabitura

Një nga shqetësimet kryesore të kompanisë është destinacioni i verërave të vjedhura. Ato mund të përfundojnë te koleksionistët privatë ose te pronarët e lokaleve, por shitja e tyre mund të ngjallë dyshime për shkak të sasisë së madhe dhe vlerës së lartë.

Shqetësim i veçantë paraqet vera Solaia, nga e cila prodhohen vetëm rreth 60-70 mijë shishe në vit. Për këtë arsye, shitja e një sasie prej 10 mijë shishesh jashtë kanaleve zyrtare mund të tërheqë vëmendjen e tregut.

Kompania ka nisur të njoftojë klientët e saj në të gjithë botën, duke u kërkuar të tregojnë kujdes ndaj ofertave të dyshimta dhe shitjeve që nuk vijnë nga kanalet zyrtare të shpërndarjes.

Drejtuesit e saj shpresojnë që malli të gjendet, duke vënë në dukje se një ngarkesë e tillë, e transportuar me dy kamionë, nuk mund të zhduket lehtësisht pa lënë gjurmë.

Ndërkohë, rasti ka ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si një sasi kaq e madhe vere luksoze mund të shitet në tregjet ndërkombëtare pa u zbuluar origjina e saj.

Top Channel