Aktualitet

Moti i keq, disa zona të Lezhës pa energji!

Moti i keq i orëve të fundit ka shkaktuar probleme në furnizimin me energji elektrike në një pjesë të madhe të Lezhës, duke lënë pa energji banorë në disa fshatra dhe lagje të qytetit.

Defekte janë evidentuar në katër fidera, ndërsa ndërprerjet e energjisë janë raportuar në njësitë administrative Kallmet, Dajç, Blinisht, Shënkoll, Kolsh dhe Zejmen, si dhe në disa zona të qytetit të Lezhës.

Grupet e OSHEE-së janë angazhuar në terren për riparimin e linjave të dëmtuara dhe rikthimin e furnizimit me energji elektrike. Përveç kushteve të pafavorshme atmosferike, një tjetër problem mbetet amortizimi i rrjetit, që ka ndikuar në shfaqjen e defekteve.

Situatë shqetësuese është regjistruar edhe në lagjen “Skënderbej”, ku një linjë e tensionit të mesëm ka rënë mbi disa banesa, duke alarmuar banorët e zonës. Në njërën prej shtëpive janë konstatuar dëmtime të pajisjeve elektrike.

Defekti është riparuar nga ekipet e ndërhyrjes, por banorët kërkojnë një zgjidhje përfundimtare për të shmangur përsëritjen e rasteve të tilla dhe për të garantuar sigurinë e banesave.

Si një nga masat e nevojshme shihet zhvendosja e linjës elektrike, për të eliminuar rrezikun për banorët dhe pronat e tyre.

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.