Leli Kaja, administrator i inceneratorit të Elbasanit u arrestua në flagrancë më 5 tetor, për korrupsion pasiv. Dalja e tij para Gjykatës së Posaçme për masën e sigurisë, do të ishte një ngjarje rutinë, por zhvillimet e fundit i dhanë vëmendje të veçantë.

Kjo ishte masa e parë e sigurisë në këtë gjykatë që pasi Dhoma Kombëtare e Avokatisë shpalli bojkot edhe të masave, reagim i detyruar kundër rregullores së censurës në Gjykatën e Posaçme

Nëse seanca nuk zhvillohej, i dyshuari duhej të lirohej. Sipas ligjit, askush nuk mund të qëndrojë në qeli, nëse ndaj tij nuk ka një masë sigurie të marrë nga gjykata.

Por herët në mëngjes, në orën 09.00 kur seanca ishte caktuar të niste, në sallë u shfaq një avokat kryesisht. Lefter Xhengo e përfaqësoi në seancë. SPAK kërkoi arrest në burg, ndërsa GJKKO vendosi masë më të butë, arrest në shtëpi.

“Nëse ky avokat nuk do të paraqitej në sallën e gjyqit, ashtu siç duhej të ndodhte realisht, sigurisht që personi i arrestuar duhej të lirohej, për shkak se prania e mbrojtësit në procesin penal, gjatë vlerësimit të arrestit dhe caktimit të masës së sigurimit, është e domosdoshme”, tha avokati Arbër Hoxha në një intervistë për Report Tv.

Dhoma Kombëtare e Avokatisë e cila kishte tërhequr më parë të gjithë listën e avokatëve kryesisht, u mblodh me shpejtësi në mesditë. Komiteti Disiplinor pranë Dhomës vendosi t’i heqë licencën për dy vite avokatit Lefter Xhengo, i cili doli kundër vendimit unanim duke shkelur bojkotin.

“Është një përfaqësim i paligjshëm, sepse për aq kohë sa Dhoma Kombëtare e Avokatisë e ka tërhequr listën e avokatëve që caktohen kryesisht, pyetja është: ku e ka gjetur gjyqtari që shqyrton vlerësimin e arrestit dhe caktimin e masës së sigurimit emrin e këtij avokati, për aq kohë sa lista është tërhequr?

Kështu që mbrojtja që ka bërë ky avokat është e paligjshme, edhe në kushtet kur ka thyer vendimin e Këshillit Drejtues të Dhomës Kombëtare të Avokatisë”, thekson avokati Hoxha.

Ndërkohë Dhoma e Avokatisë toleroi vetëm me vërejtje avokatin që mori pjesë të enjten në seancën për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit ndaj Greta Gjocit, nënës me fëmijë 3 muajsh që u burgos pas vendimit të Gjykatës së Apelit.

Disa avokatë janë gjobitur nga gjyqtarët e posaçëm për bojkotimin e seancave. Dhoma Kombëtare e Avokatisë ka marrë përsipër të paguajë gjobat e tyre, nëse ato rrëzohen edhe pas ankimimit.

Rregullorja e GJKKO që ka sjellë bojkotin e avokatëve vetëm në këtë gjykatë, prek ushtrimin e profesionit të avokatit dhe të gazetarëve duke i ndaluar të përdorin celularët në seanca.

Situata në Gjykatën e Posaçme është kaotike. Prej 7 shtatorit kur ka nisur bojkoti i seancave, gjyqet janë shtyrë, ndërsa penalizmit nuk i kanë shpëtuar as të pandehurit, si në rastin e kreut të Partisë së Lirisë Ilir Meta dhe kryebashkiakut Erjon Veliaj, të cilëve prej bojkotit të avokatëve, i janë pezulluar disa herë afatet e paraburgimit.

 

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë