Dosja ‘Balluku’, SPAK i merr telefonin ‘Tan Leprit’/ Biznesmeni, dyshime se ka lobuar për kontratat publike

10:57, 09/10/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Elton Qyno Syri.net/

Biznesmeni Dritan Avllaj, që në Tiranë njihet si “Tan Lepuri”, është bërë objekt i verifikimit nga prokuroria e posaçme SPAK, pasi oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit mësohet se i kanë sekuestruar telefonin.

Gazetari Elton Qyno ka mësuar nga burime pranë SPAK se veprimet procedurale ndaj Avllajt janë kryer në kuadër të një çështjeje penale që është hapur ndaj ish-zv/kryeministres së Shqipërisë, Belinda Balluku.

Në këtë fazë ku ndodhet hetimi, ende nuk është e qartë në çfarë cilësie është pyetur Avllaj dhe nuk dihet zyrtarisht nëse SPAK ka ngritur ndonjë akuzë ndaj tij.

Por sekuestrimi i telefonit nuk do të thotë automatikisht se biznesmeni ka kryer një vepër penale. Ndërkohë, kryerja e këtij veprimi tregon se ndaj tij kanë nisur veprimet verifikuese, lidhur me disa komunikime që janë zbuluar në një telefon tjetër të sekuestruar nga SPAK.

Bëhet fjalë për veprime tregtare në lidhjen e kontratave publike me kompani private në investime në HEC-e, infrastrukturë rrugore dhe parqe fotovoltaike, ku sipas burimeve të SPAK dyshohet se Dritan Avllaj ka vepruar si ndërmjetës, duke lobuar pranë drejtuesve të Ministrisë së Energjitikës dhe Infrastrukturës.

Bashkëshortja e Avllajt, Elona Goxhaj, dyshohet se është një nga përfitueset e këtyre kontratave nga MEI.

Biznesmeni Dritan Avllaj njihet në Tiranë si njeri i afërt me Belinda Ballukun. Kohë më parë ai ka qenë mik i ngushtë i Edi Ramës, gjatë kohës kur ky i fundit drejtonte Bashkinë e Tiranës.

Kujtojmë se “Tan Lepuri” nuk është një emër i ri në debatin publik shqiptar. Rreth 16 vjet më parë ai u vendos në qendër të një prej përplasjeve më të forta politike për lejet e ndërtimit në Tiranë, kur Edi Rama drejtonte Bashkinë.

Në gusht të vitit 2010, deputetja demokrate Albana Vokshi publikoi një kontratë ku Dritan Avllaj rezultonte me 20% të aksioneve në një marrëveshje biznesi.

Vokshi pretendonte publikisht se Avllaj ishte njeriu i afërt i Edi Ramës dhe se 20%-shi lidhej me sigurimin e një lejeje ndërtimi. Akuza e saj ishte e drejtpërdrejtë: “Kompania ‘Vizion Construction’ është detyruar të fusë aksioner me 20 për qind mikun e Edvin Ramës, Dritan Avllaj, i njohur si Tan Lepri”.

Në atë periudhë, njësia hetimore Task-Forcë në prokurorinë e Tiranës nisi një hetim penal, por shumë shpejt hetimi përfundoi me vendim pushimi.

“Tan Lepri” nuk është një emër i panjohur në skenën kriminale shqiptare. Edhe pse ka qenë viktimë e një atentati të armatosur në Tiranë në vitin 2011, ku mbeti i plagosur nga plumbat që i qëlluan nga persona me skafandra në kokë, ai arriti të mbijetojë dhe vazhdoi të operojë në hije, duke forcuar pozitat e tij.

Ky atentat, më shumë se një ngjarje e rastësishme, duket si një mesazh i qartë për të treguar forcën dhe ndikimin që “Tan Lepri” ka në qarqet e errëta të krimit dhe politikës.

Emri i tij është përfolur në shumë raste, jo vetëm për lidhjet me krimin, por edhe për skema korruptive në fushën e ndërtimit, veçanërisht në projektet e Kodrave të Liqenit në Tiranë, ku ai ka përfituar mbështetjen e drejtpërdrejtë të Edi Ramës si kryetar i Bashkisë.

Hetimet në Prokurori për këto akuza kanë qenë të shumëfishta; megjithatë, asnjëherë nuk është arritur një përgjegjësi ligjore e plotë, duke e lënë Avllajn të funksionojë lirshëm dhe me bekimin e strukturave të shtetit që ai ka arritur të lobojë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco