Harta e re territoriale, cilat bashki “zhduken” dhe si ndryshon ndarja e Shqipërisë

Pas 15 orësh debatesh dhe përplasjesh në Kuvend, reforma e re administrativo-territoriale u miratua me 85 vota pro, duke e çuar në 46 numrin e bashkive në vend, nga 61 që janë aktualisht. Ndryshimet parashikojnë bashkimin e disa bashkive me njëra-tjetrën, krijimin e një njësie të re administrative dhe riorganizimin e pushtetit vendor në disa qarqe të vendit.
Sipas modelit të miratuar, 28 bashki konsolidohen në 13 bashki të reja, ndërsa struktura e re do të përbëhet nga 46 bashki, 71 qytete përbërëse dhe 387 njësi administrative. Reforma ruan bashkinë si njësinë e vetme të vetëqeverisjes vendore, me një kryetar, një këshill bashkiak, një administratë dhe një buxhet të vetëm.
Cilat janë ndryshimet sipas qarqeve?
Në Qarkun Tiranë, kryeqyteti mbetet i pandryshuar, ndërsa Kavaja dhe Rrogozhina bashkohen në një bashki të vetme. Një tjetër ndryshim është krijimi i njësisë administrative Rinas, e cila do të përfshihet në Bashkinë e Tiranës dhe do të përfshijë territorin e fshatrave Rinas, Bërxullë dhe Domje, duke bashkuar zonën e aeroportit me hapësirën ekonomike përreth tij.
Në Qarkun Shkodër, Fushë-Arrëzi bashkohet me Pukën, ndërsa Qarku Lezhë nuk pëson ndryshime.
Në Qarkun Berat, numri i bashkive reduktohet nga pesë në tre. Berati bashkohet me Poliçanin dhe Dimalin, ndërsa Kuçova dhe Skrapari mbeten bashki më vete.
Ndryshime të rëndësishme parashikohen edhe në Qarkun Elbasan. Elbasani bashkohet me Belshin dhe Cërrikun, ndërsa Përrenjasi bashkohet me Librazhdin. Peqini dhe Gramshi do të vazhdojnë të funksionojnë si bashki më vete.
Në Qarkun Fier, Patosi bashkohet me Fierin, ndërsa Lushnja bashkohet me Divjakën, duke i dhënë Lushnjës dalje në det përmes territorit të kësaj të fundit.
Në Qarkun Dibër, Klosi bashkohet me Matin.
Ndryshime të tjera përfshijnë Qarkun Gjirokastër, ku Tepelena bashkohet me Memaliajn, Përmeti me Këlcyrën, ndërsa Gjirokastra përfshin edhe Libohovën.
Në Qarkun Vlorë, Vlora bashkohet me Selenicën, ndërsa në Qarkun Korçë, Maliqi bashkohet me Korçën.
Ndërkohë, Qarku Kukës mbetet i pandryshuar, me tri bashkitë Kukës, Has dhe Tropojë.

Cilat bashki do të mbeten të paprekura?
Pavarësisht ndryshimeve, disa bashki do të ruhen si njësi më vete për shkak të veçorive gjeografike, demografike, identitare dhe të aksesit rrugor.
Mes tyre janë Pusteci, Finiqi, Dropulli, Tropoja, Hasi, Skrapari dhe Konispoli. Sipas modelit të propozuar, në përcaktimin e hartës së re janë marrë në konsideratë edhe largësitë, prania e minoriteteve dhe vijueshmëria gjeografike e territoreve.
Kur hyn në fuqi harta e re?
Ndryshimet territoriale pritet të hyjnë në fuqi pas zgjedhjeve të ardhshme vendore, të planifikuara për pranverën e vitit të ardhshëm. Kjo do të thotë se 15 bashki nuk do të ekzistojnë më si njësi të pavarura pas zbatimit të reformës.
Mazhoranca e konsideron riorganizimin një hap drejt modernizimit të pushtetit vendor, ndërsa opozita kundërshton shkrirjen e bashkive, duke argumentuar se kjo mund të largojë shërbimet nga qytetarët dhe të ndikojë në investimet në zonat që humbasin statusin e bashkisë.




