Nga Klodian Tomorri - 11:09, 09/10/2026
Ka raste plot kur deputetët votojnë ligje, të cilat janë kundër bindjeve të tyre dhe cenojnë interesin e bazës së tyre të votuesve. Por kjo ndodh kur ata marrin në këmbim një përfitim tjetër për ata zgjedhës.
Për shembull, demokratët në SHBA votojnë nismat e republikanëve për të ulur deficitin ose për të rritur shpenzimet për mbrojtjen, por në këmbim marrin rritjen e taksave mbi të pasurit apo zgjerimin e Medicare-it.
Kjo është realpolitik dhe demokraci funksionale.
Por kur deputetët votojnë ligje kundër bindjeve të tyre dhe kundër interesave të votuesve të tyre pa marrë asgjë në këmbim për ta, ka vetëm dy opsione: Ose janë shantazhuar ose kanë marrë përfitime personale.
Këto janë njëra më keq se tjetra. Të gjithë ata deputetë që përfaqësojnë bashkitë e shkrira në Kuvend, e dinin shumë mirë se vota dje ishte kundër interesit të zgjedhësve të tyre. Tani edhe qytetarët duhet të dinë arsyet se pse.
Qytetarët e Poliçanit duhet ta dinë se Poliçani u fshi nga harta, që infermier Buzali të shtojë dhe ca hotele të tjera në Jug.
U fshi sepse Fadil Nasufi nuk është i denjë të jetë në Parlament për sa kohë thotë që unë nuk e kuptoj këtë që po bëjmë, por do ta votoj se kështu më kanë thënë. U fshi sepse kryetarin e cenueshëm të bashkisë, ndoshta e kërcënuan me ndonjë dosje SPAK-u.
Selenica u fshi, që tatimet mos të ndjekin Big Marketin ose që Big Marketi të marrë më shumë pjesë tregu, por tani me pasqyrë çmimesh në kohë reale.
Divjaka u fshi sepse ai kryetari që numëron 12 milionë sallatoret e turistëve e futi bishtin ndër shalë dhe uli kokën, në vend që t'i çonte qytetarët dje në Parlament të pështynin deputetët e tyre.
Gjithë të tjerat u fshinë sepse parimet e Elisa Spiropalit për demokracinë e brendshme, për shtetin më të fortë se individi etj. etj., apo lufta e Erjon Braces për interesin publik përfunduan si farsë në koshin e turpit.
Megjithatë, problemi më i madh nuk është vetëm për ata banorë të cilëve iu hoqën bashkitë. Problemi është për të gjithë Shqipërinë.
Sepse nëse Parlamenti ka kaq shumë deputetë të shantazhueshëm ose të tregtueshëm, ai kthehet në një institut krimi, që mund të votojë çdo gjë.
Ata deputetë që votojnë t'u fshijë bashkitë zgjedhësve të tyre, nesër mund të votojnë që t'u marrin edhe pronën, siç e kanë bërë në fakt.
Njerëzit duhet ta kuptojnë që kjo është luftë. Parlamenti nga njëra anë, ata nga ana tjetër. Dhe të dyja palët kanë vetëm një armë: votën.
Deputetët votojnë për të varrosur zgjedhësit e tyre, qytetarët duhet të bëjnë të njëjtën gjë. Të votojnë për t'i vrarë politikisht.
"Power resides where men believe it resides."
© SYRI.net