Policia e Shtetit, ka reaguar në lidhje me email-et kërcënuese që u dërguan paraditen e sotme në disa institucione shtetërore, duke theksuar se nga verifikimet e deritanishme, nuk është konstatuar asnjë rast me lëndë plasëse.
Policia, në njoftimin zyrtar, thotë po ashtu se po punojnë për të identifikuar burimin e mesazhit të dërguar nëpër email-e.
Të lidhura
None found
“Në adresat elektronike zyrtare të disa institucioneve shtetërore është dërguar një mesazh kërcënues, në të cilin pretendohet për vendosjen e lënde shpërthyese në ambientet e tyre.
Policia e Shtetit ka nisur menjëherë verifikimet. Deri tani, nuk është evidentuar asnjë rast i vendosjes së lëndëve shpërthyese.
Nën drejtimin e Prokurorisë, strukturat e specializuara të Policisë së Shtetit vijojnë punën për identifikimin e burimit të mesazhit”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Në emailin e dërguar në 150 adresa të institucioneve, autori prezantohet si “udhëheqës i milicisë serbe” dhe përdor gjuhë kërcënuese ndaj institucioneve që kanë marrë komunikimet.
“Përshëndetje. Jam udhëheqësi i Milicisë Serbe. Kemi ardhur të hakmerremi ndaj jush. Sapo kam vendosur personalisht një mjet shpërthyes në ndërtesën tuaj. Shpërthimi do të ndodhë pas një ore. Nga ju do të mbeten vetëm copa mishi. Do të vrasim shqiptarë derisa ta njihni Kosovën si territor të Serbisë. FAT TË MBARË”, thuhet në email.







