“Qava për trajtimin që i bënë” – Nëna e Ronaldos thyen heshtjen: Nuk po e vlerësojnë siç duhet

9 Tetor 2026, 12:00Sport TEMA
“Qava për trajtimin që i bënë” – Nëna

Nëna e Cristiano Ronaldos, Dolores Aveiro, nuk e ka fshehur zhgënjimin pas largimit të bujshëm të djalit të saj nga grumbullimi i kombëtares së Portugalisë. Ajo ka pranuar se ka qarë pas ngjarjes, duke e cilësuar situatën si një tronditje dhe duke kritikuar mënyrën se si po vlerësohet legjenda e futbollit portugez.

Në një intervistë për revistën portugeze TV 7 Dias, Dolores tregoi se ishte e trishtuar nga mënyra se si përfundoi kjo situatë, duke theksuar se djali i saj meritonte një largim ndryshe nga kombëtarja.

“Jam e trishtuar, është normale. Ishte një tronditje. Djali im mund të ishte larguar nga dera kryesore, por në vend të kësaj u largua nga dera e vogël. Kam qarë. Ndonjëherë është mirë edhe të shfryhesh”, u shpreh ajo.

Dolores zbuloi gjithashtu se i kishte kërkuar të birit të ruante qetësinë përpara se ai të merrte vendimin për t’u larguar nga grumbullimi i Portugalisë. Sipas saj, Ronaldo i kishte thënë se do ta tregonte të vërtetën kur të gjithë të ishin së bashku.

Ajo shtoi se Ronaldo ka dhënë shumë për vendin e tij dhe se nuk po merr vlerësimin që meriton.

“Ai ka qenë gjithmonë heroi i Portugalisë. Nuk po e vlerësojnë ashtu siç duhet. Ata nuk i japin Cristiano-s vlerën që meriton”, deklaroi nëna e yllit portugez.

Kujtojmë se largimi i Ronaldos nga grumbullimi erdhi pas tensioneve me trajnerin Jorge Jesus, pasi sulmuesi nuk u aktivizua në ndeshjen ndaj Norvegjisë dhe mësoi se nuk do të ishte titullar ndaj Danimarkës. Ronaldo më pas publikoi një deklaratë ku shpjegoi versionin e tij për konfliktin dhe pranoi se veprimi i tij mund të kishte pasoja disiplinore.

Megjithatë, largimi nuk nënkupton domosdoshmërisht fundin e aventurës së tij me Portugalinë. Jorge Jesus dhe drejtuesit e Federatës Portugeze kanë lënë të hapur mundësinë e rikthimit të kapitenit, ndërsa vendimi përfundimtar mbetet në duart e vetë Ronaldos.

Për Dolores Aveiro, pavarësisht kësaj situate të vështirë, kontributi i djalit të saj për futbollin portugez mbetet i jashtëzakonshëm.

Lini një Përgjigje