Sekuestrohen 92 mijë euro dhe miliona lekë në Fier, ja cfarë ka ndodhur

Policia e Fierit ka finalizuar operacionin “Transaksioni 2”, duke ekzekutuar 14 masa sigurie ndaj shtetasve të dyshuar për ushtrimin e veprimtarive financiare pa licencë. Me vendim të gjykatës, 11 persona janë vendosur në “arrest në shtëpi”, ndërsa për tre shtetase të tjera janë caktuar masat “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”.
Gjatë kontrolleve në banesat dhe njësitë tregtare të personave të përfshirë në hetim, janë sekuestruar shuma të konsiderueshme parash në disa monedha, konkretisht 4 milionë e 461 mijë lekë, 92 mijë e 390 euro, 8 mijë e 215 paund, 19 mijë e 22 dollarë dhe 220 franga.
Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, në bashkëpunim me Prokurorinë e Fierit, në zbatim të vendimit të gjykatës.
Një prej personave nën masë sigurie, procedim edhe për armëmbajtje
Gjatë kontrollit në banesën e njërit prej shtetasve, me inicialet Ç. S., u gjetën dhe u sekuestruan një armë sportive e tipit pistoletë, dy mjete prerëse dhe një fishek. Për këtë shtetas nisi edhe procedimi penal lidhur me sendet e gjetura, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Të 14 shtetasit dyshohen për veprën penale “Ushtrimi pa licencë i veprimtarive financiare”. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme, ndërsa hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të aktivitetit të dyshuar.


