Një delegacion i nivelit të lartë nga Akademia e Arteve të Bukura të Leçes zhvilloi një takim në Universitetin e Arteve në Tiranë

9 Tetor 2026, 11:28Kulturë TEMA
Një delegacion i nivelit të lartë nga Akademia e Arteve të

Një delegacion i nivelit të lartë nga Akademia e Arteve të Bukura të Leçes (Accademia di Belle Arti di Lecce) zhvilloi dje, një takim në Universitetin e Arteve në Tiranë, në kuadër të forcimit të marrëdhënieve akademike dhe kulturore mes dy institucioneve.

Delegacioni u prit nga rektori i Universitetit të Arteve, Erald Bakalli, dhe përgjegjësi i Sektorit të Projekteve, Pjetër Guralumi.

Takimi u zhvillua në vijim të Marrëveshjes së Mirëkuptimit mes dy institucioneve dhe eksperiencave pozitive të krijuara gjatë vitit të kaluar akademik, veçanërisht për studentët e Fakultetit të Arteve të Bukura.

Në fokus të diskutimeve ishte thellimi i bashkëpunimit ndërkombëtar, me synim krijimin e më shumë mundësive për studentët dhe zhvillimin e projekteve e aktiviteteve të përbashkëta. Bashkëpunimi pritet të përfshijë jo vetëm programet e Fakultetit të Arteve të Bukura, por edhe programet Film dhe Skenografi e Kostumografi të Fakultetit të Artit Skenik.

Nga ana e Universitetit të Arteve u prezantuan publikime të realizuara në kuadër të 60-vjetorit të institucionit, si dhe botime të lidhura me Konferencën e Përvitshme Shkencore të Universitetit.

Vizita vijoi me një ndalesë në Sallën e Madhe të Koncerteve të Universitetit të Arteve, ku delegacioni italian u njoh nga afër me hapësirat dhe mundësitë që ofron ky ambient i restauruar.

Gjatë vizitës u vlerësuan mundësitë për organizimin e aktiviteteve të përbashkëta artistike, akademike dhe ndërkombëtare, duke e kthyer bashkëpunimin mes dy institucioneve në një platformë të re për shkëmbimin e eksperiencave dhe krijimin e mundësive të reja për studentët dhe pedagogët.

Takimi shënon një tjetër hap në forcimin e lidhjeve akademike dhe artistike mes Tiranës dhe Leçes, me synimin që marrëveshja mes dy institucioneve të konkretizohet përmes projekteve të reja dhe aktiviteteve të përbashkëta.

A.K./TemA

Lini një Përgjigje