Dy ditë pasi Edison Lika, gjuajti me vezë në drejtim të makinës së Kryeministrit Rama, policia njoftoi se i ka komunikuar zyrtarisht masën e arrestit dhe 28-vjeçari pritet të dalë para gjykatës. Bashkë me të për të njëjtin ngjarje është arrestuar edhe një tjetër i ri, 29 vjeçar, si bashkëpunëtor.

Ndërkohë që te protestat e së enjtes, e përqendruar me orë të tëra rreth Kuvendit, policia thotë se ka arrestuar një 39-vjeçar, për të cilin Report Tv mësoi se është protestues i grupit të ashtuquajtur të flamengove.  Nga protesta e Partisë Demokratike nuk ka pasur asnjë të arrestuar.  Në gjendje të lirë do të hetohen nga prokuroria për 6 të tjerë.

Për të nëntë dosja tashmë i ka kaluar prokurorisë me referim për “Goditje për shkak të detyrës”, “Kundërshtim i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.

Njoftimi i policisë

Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera nga strukturat e Policisë së Tiranës, me qëllim identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të autorëve të veprimeve të kundërligjshme gjatë tubimeve të zhvilluara në kryeqytet:

-u arrestuan në flagrancë shtetasit E. L., 28 vjeç, F. Rr., 29 vjeç dhe A. A., 39 vjeç;-u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit E. P., 39 vjeçe, B. M., 20 vjeç, I. T., 51 vjeç, M. C., 65 vjeç, L. B., 39 vjeç dhe E. E., 35 vjeç.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Goditja për shkak të detyrës”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë