Prokurorja Antoneta Sevdari rikthehet anëtare në Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Ajo ishte shkarkuar nga detyra nga vettingu, por Gjykata e Evropiane e të Drejtave të njeriut në Strasburg e përmbysi vendimin, duke e rikthyer në detyrë.

Sevdari mori 165 vota nga kolegët e saj, si kandidate nga Prokuroria e Përgjithshme, duke zënë vendin e Sokol Stojanit, të cilit i mbaron mandati më 18 dhjetor. Në mbledhjen e të të gjithë prokurorëve te Poli i Drejtësisë, u zgjodhën edhe 2 anëtarë të tjerë të KLP-së. Nga radhët e prokurorive të Apelit, garën e fitoi prokurorja Afërdita Ndoi, me 160 vota, ndërsa nga prokuroritë e shkallës së parë, Eloida Goxhi siguroi 148 vota.

Ato zëvendësojnë Ledina Rizën dhe Zeqir Hodën, të cilëve mandati u përfundon gjithashtu më 18 dhjetor. Treshja që do të largohet nga KLP, do të rikthehen në pozicionet që mbanin përpara zgjedhjes si anëtarë të KLP-së.

Njëkohësisht u zhvilluan dhe zgjedhjet për anëtarin prokuror në Këshillin Drejtues të Shkollës së Magjistraturës. Fitues rezultoi Gentian Habazaj me 154 vota, për një mandat 4 vjeçar.

Në fjalën e hapjes së procesit, Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, u ndal te vështirësitë me të cilat është përballur sistemi i prokurorisë vitet e fundit, duke vënë theksin te mungesa e magjistratëve dhe ngarkesa e lartë e punës.

“Prokuroria është duke kaluar një periudhë tejet të vështirë prej disa vitesh, për shkak të vakancave në organikë dhe mbingarkesës së punës të krijuar si rrjedhojë e tyre. Ka qenë kontributi dhe sakrifica e gjithsecilit prej jush që ndihmoi në evitimin e kolapsit që rrezikonte sistemin e prokurorisë dhe përshtatjen graduale me organizimin e ri”.

Kreu i organit të akuzës apeloi gjithashtu për një zgjidhje përfundimtare për trajtimin financiar të magjistratëve, përmes dialogut ndërinstitucional dhe në përputhje me standardet e përcaktuara nga Gjykata Kushtetuese.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë përballet me çështje të rëndësishme: Zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm të ri. Mandati i Olsian Çelës përfundon më 5 dhjetor dhe, përpara kësaj date, KLP-ja duhet t’i përcjellë Kuvendit emrat e pikëzuar të kandidatëve, për të përzgjedhur mes tyre drejtuesin e ri të Prokurorisë së Përgjithshme. Kjo zgjedhje do të bëhet nga anëtarët aktualë pasi anëtarët e rinj të Këshillit do të nisin detyrën më 18 dhjetor.

Sokol Stojani (përfaqësues i Prokurorisë së Përgjithshme) - zëvendësohet nga Antoneta Sevdari
Ledina Riza (përfaqësuese e prokurorive të apelit) - zëvendësohet nga Afërdita Ndoi
Zeqir Hoda (përfaqësues i prokurorive të shkallës së parë) - zëvendësohet nga Eloida Goxhaj