
Kryedemokrati Sali Berisha doli në konferencë për shtyp pas miratimit të Reformës Territoriale me 85 vota të PS dhe PSD. Duke iu referuar protestave të shumta kundër kësaj reforme, Berisha tha se me votën pro, deputetët socialistë "shkelmuan interesat e zgjedhësve të tyre".
"Mbrëmë pas mesnate, në një akt flagrant antikombëtar, antiqytetar, krimi, pengmarrja dhe ryshfeti, mandatet e krimit u hodhën si shigjeta kundër qytetarëve të 15 bashkive të vendit, për asgjësimin e tyre. Deputetët e partisë së krimit në unison, shkelmuan interesat e zgjedhësve të tyre. Të marrë peng me korrupsionin e tyre, me vjedhjet dhe plaçkën që kanë siguruar me mandatin e tyre, ata votuan në një krim kolektiv për asgjesimin e 15 bashkive.
Reforma territoriale është pa dyshim, në raport me qytetarin dhe komunitetet, reforma më e rëndësishme sepse kjo reformë ka të bëjë me vetë qeverisjen e komuniteteve. Ka të bëjë me qeveritë vendore të tyre, të cilat kanë misionin zhvillimin e territorit të komunitetit.
Kanë mision konservimin e trashëgimisë kulturore historike të komunitetit. Kanë mision mbrojtjen, zhvillimin e identiteteve të komuniteteve. Theksoj dhe njëherë, për Shqipërinë, një vend me nevojë jetike për zhvillim, njësitë e qeverisjes vendore janë investitorë kryesorë në zonat e komuniteteve"- tha Berisha. Versus.al

