Një 17-vjeçar ka rënë në prangat e policisë, ndërsa një bashkëmoshatar i tij po hetohet në gjendje të lirë, pasi u kapën me dhjetëra doza të dyshuara kokaine dhe kanabisi pranë një shkolle në lagjen “Pavarësia” në Vlorë.

Goditja u bë në kuadër të operacionit të koduar “Shkolla të pastra”, i zhvilluar pas informacioneve të siguruara në rrugë operative se dy të mitur do të shisnin lëndë narkotike në afërsi të shkollave.

Sipas policisë, 17-vjeçari i arrestuar, banues në Orikum, u pikas duke drejtuar një automjet pa leje drejtimi, ndërsa së bashku me 17-vjeçarin tjetër, banues në Dukat, u ndalua pranë një shkolle.

Gjatë kontrollit fizik dhe në automjet, policia gjeti dhjetëra doza të dyshuara kokaine dhe kanabisi. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan lëndët narkotike, automjeti dhe tre telefona celularë.

Materialet i janë referuar Prokurorisë së Vlorës për veprime të mëtejshme.

Njoftimi i plotw i Policisw 

U kapën në flagrancë afër një shkolle në lagjen “Pavarësia”, me doza Kokaine dhe Cannabisi, arrestohet një 17-vjeçar, procedohet penalisht një bashkëmoshatar i tij.    

Sekuestrohen dozat e lëndëve narkotike, automjeti që drejtonte i arrestuari, pa leje drejtimi, dhe 3 celularë.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Vlorë, si rezultat i administrimit të shpejtë të një informacioni të siguruar në rrugë operative, për dy shtetas që do të shisnin doza të lëndëve narkotike në afërsi të shkollave të qytetit, organizuan dhe finalizuan operacionin e koduar “Shkolla të pastra”.   

Në kuadër të këtij operacioni u arrestua në flagrancë një 17-vjeçar, banues në Orikum, dhe u procedua në gjendje të lirë një 17-vjeçar, banues në Dukat.       

Këta shtetas u kapën nga shërbimet e Policisë, gjatë operacionit, në afërsi të një shkolle, në lagjen “Pavarësia”, duke qarkulluar me automjetin që e drejtonte pa leje, 17-vjeçari që u arrestua.   

Gjatë kontrollit në automjet dhe kontrollit fizik ndaj këtyre dy shtetasve, u gjetën dhjetëra doza të lëndëve të dyshuara narkotike Kokainë dhe Cannabis Sativa. Dozat e lëndëve narkotike u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bashkë me automjetin dhe 3 celularë.  

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Vlorës, për veprime të mëtejshme.

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë