E premte, 9 Tetor 2026 Trashëgimtari Halef deri në 13:10 Në vijim ora 13:10: Trazira në Parajsë Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Politikë

“Parlament krimi”, Berisha pas miratimit të Territoriales: Deputetët ranë te këmbët e Padrinos dhe të narko-trafikantit Taulant Balla

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një konferencë për mediat, pas miratimit të reformës së re administrativo-territoriale, ka akuzuar mazhorancën se po braktis zonat rurale dhe se deputetët votuan kundër interesave të komuniteteve që përfaqësojnë.

Berisha e cilësoi shkurtimin e numrit të njësive vendore nga 410 bashki e komuna në 61 bashki si një proces që, sipas tij, ka sjellë braktisjen masive të Shqipërisë rurale. Ai tha se investimet në infrastrukturën rurale gjatë periudhës para qeverisë aktuale arritën në 3.2 miliardë, duke përmendur ndërtimin dhe rindërtimin e mbi 8500 kilometrave rrugë, si dhe investimet në ujësjellës, kanalizime, shkolla dhe qendra shëndetësore.

Reklamë

Berisha deklaroi se Partia Demokratike ishte angazhuar për reformën territoriale dhe kishte propozuar një ndarje me të paktën 100 bashki, ndërsa akuzoi kryeministrin Edi Rama se u tërhoq nga procesi i konsultimit me qytetarët. Sipas tij, reforma e vitit 2014 ishte kundërshtuar nga komunitetet, ndërsa harta e re do të sjellë pasoja për zhvillimin e zonave që humbasin statusin e bashkisë.

Kreu i PD-së u ndal te disa prej bashkive që do të shkrihen, duke përmendur Fushë-Arrëzin, Maliqin, Divjakën, Klosin dhe Përrenjasin. Ai argumentoi se këto zona kanë rëndësi historike dhe potenciale të mëdha ekonomike, bujqësore, turistike dhe minerare.

Reklamë

Për Fushë-Arrëzin, Berisha theksoi rëndësinë e saj si qendër në rrugën që lidh Shqipërinë me Kosovën. Ndërsa për Divjakën vuri në dukje potencialin turistik, për Klosin pasuritë e kromit dhe për Përrenjasin rezervat e hekurit dhe nikelit.

Berisha akuzoi gjithashtu deputetët e mazhorancës se votuan nën presion dhe për interesa personale e familjare, pretendime që i bëri në kuadër të kundërshtimit të reformës.

Në përfundim, ai përdori gjuhë të ashpër ndaj Kuvendit dhe deputetëve që mbështetën ndryshimet, duke deklaruar: “Ky është një parlament krimi, që nuk meriton të ekzistojë asnjë orë, asnjë ditë!”. Ai sulmoi gjithashtu kreun e grupit parlamentar socialist, Taulant Ballad he kreun e qeverisë, Edi Rama.

“Deputetët ranë tek këmbët e Padrinos dhe të narko-trafikantit Taulant Balla.

Nuk bëhet fjalë për nder dhe dinjitet, por pa asnjë interes tjetër përveç interesave të tyre vetjake, personale dhe familjarëve natyrisht”, tha Berisha.

Reforma e re administrativo-territoriale u miratua në Kuvend me 85 vota pro dhe parashikon uljen e numrit të bashkive nga 61 në 46, përmes bashkimit të 15 njësive vendore. Ndryshimet pritet të zbatohen pas zgjedhjeve të ardhshme vendore, të planifikuara për pranverën e vitit 2027.

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.