Tre persona janë arrestuar nga shërbimet e Policisë së Lezhës, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë së Shkodrës, pasi po planifikonin kryerjen e një vrasje në zonën e Pllanës. Ata kanë rënë në sy teksa vëzhgonin zonën dhe kryenin lëvizje të dyshimta.
Gjatë këtij operacioni u arrestuan shtetasit Elden Tarja, 25 vjeç, banues në fshatin Barbullush, Kristian Ymeri (Shkambi), 34 vjeç, banues në Kamzë, dhe Vincesk Piroli, 38 vjeç, banues në Kurbin (shtetas me precedentë të shumtë penalë për krime kundër personit, brenda dhe jashtë shtetit).
Menjëherë pas marrjes së informacionit se në rrugën e vjetër “Pllanë-Lezhë” dy shtetas me skafandra, të cilët lëviznin me motomjet, kryenin lëvizje të dyshimta, shërbimet e Policisë organizuan punën dhe shkuan në zonën e sinjalizuar.
Si rezultat i patrullimeve komplekse dhe krehjes së zonave ku dyshohej se kishte lëvizur motomjeti, në Lezhë dhe në drejtim të Shkodrës, në segmentin rrugor “Gjadër-Barbullush”, u ndalua automjeti tip “Volkswagen”, me të cilin po lëviznin shtetasit Vincesk Piroli dhe Kristian Ymeri (Shkambi), të konstatuar më parë duke lëvizur me motomjet në rrugën e vjetër “Pllanë-Lezhë”.
Këta shtetas shoqëroheshin në automjet nga bashkëpunëtori i tyre, shtetasi Elden Tarja, drejtuesi i automjetit, me qëllim largimin nga zona ku kishin planifikuar vrasjen.
Gjatë kontrollit fizik, të motomjetit dhe në banesën e shtetasit Elden Tarja dhe përreth saj, u gjetën 3 armë zjarri (pistoleta), me krehra dhe fishekë, municion luftarak, motomjeti i dyshuar i përdorur për rastin, çelësat e të cilit iu gjetën shtetasit 34-vjeçar.
Nga verifikimet rezultoi se motomjeti ishte i vjedhur në Suedi. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
