Planifikuan vra'sje në Lezhë, publikohen emrat e tre të arrestuarve, si ndodhi ngjarja

Aktualitet

Planifikuan vra'sje në Lezhë, publikohen emrat e tre të
Zbardhen emrat e tre personave të arrestuar nën dyshimin se kishin planifikuar të kryenin një vrasje në Lezhë. Në pranga u vunë shtetasit Elden Tarja, 25 vjeç; Kristian Ymeri (Shkambi), 34 vjeç, dhe Vinçesk Piroli, 38 vjeç.

Policia thekson në njoftimin zyrtar se Vinçesk Piroli dhe Kristian Ymeri (Shkambi) u konstatuan në rrugën e vjetër “Pllanë-Lezhë” duke kryer lëvizje të dyshimta ndërsa lëviznin me një motor të vjedhur në Suedi, me skafandra dhe të armatosur.

Më pas, policia ka ndaluar një automjet tip “Volkswagen” në rrugën “Gjadër-Barbullush”, me të cilin lëviznin dy personat që ishin konstatuar më parë me motorin. Drejtues ishte Elden Tarja, i cili do të bënte të mundur largimin e automjetit nga zona ku do kryhej vrasja.

Të tre këta persona rezultojnë me precedentë të shumtë penalë për krime kundër personit, brenda dhe jashtë shtetit.

Gjatë kontrolleve, policia gjeti dhe sekuestroi 3 pistoleta me krehra dhe fishekë dhe municion luftarak. Po ashtu u sekuestrua edhe automjeti dhe motori, çelësat e të cilit iu gjetën Kristian Ymerit, dhe që rezultoi se ishte vjedhur në Suedi.

NJOFTIMI I POLICISE:

Vihen në pranga 3 shtetas, të cilët, në mënyrë të organizuar dhe në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kishin planifikuar  të kryenin vrasjen.

2 prej tyre, të armatosur dhe me skafandra, lëviznin me një motomjet të vjedhur në Suedi, në rrugën e vjetër “Pllanë-Lezhë”, për të kryer krimin.

Shtetasi tjetër, bashkëpunonte me ta, duke i ndihmuar që të largoheshin me automjet nga zona ku  kishin planifikuar të kryenin vrasjen.

Sekuestrohen 3 armë zjarri (pistoleta), si dhe automjeti dhe motomjeti i përdorur në këtë rast.

Si rezultat i punës së mirëorganizuar operacionale të specialistëve të Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda dhe shërbimeve të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në kuadër të intensifikimit të punës operative dhe kontrolleve, me objektiv madhor parandalimin e ngjarjeve kriminale, u finalizua operacioni i koduar “Detajet”.

Gjatë këtij operacioni u arrestuan shtetasit E. T., 25 vjeç, banues në fshatin Barbullush, K. Y. (Sh.), 34 vjeç, banues në Kamzë, dhe V. P., 38 vjeç, banues në Kurbin (shtetas me precedentë të shumtë penalë për krime kundër personit, brenda dhe jashtë shtetit).

Menjëherë pas marrjes së informacionit se në rrugën e vjetër “Pllanë-Lezhë” dy shtetas me skafandra, të cilët lëviznin me motomjet, kryenin lëvizje të dyshimta, shërbimet e Policisë organizuan punën dhe shkuan në zonën e sinjalizuar.

Si rezultat i patrullimeve komplekse dhe krehjes së zonave ku dyshohej se kishte lëvizur motomjeti, në Lezhë dhe në drejtim të Shkodrës, në segmentin rrugor “Gjadër-Barbullush”, u ndalua automjeti tip “Volkswagen”, me të cilin po lëviznin shtetasit V. P. dhe K. Y. (Sh.), të konstatuar më parë duke lëvizur me motomjet në rrugën e vjetër “Pllanë-Lezhë”. Këta shtetas shoqëroheshin në automjet nga bashkëpunëtori i tyre, shtetasi E.T., drejtuesi i automjetit,  me qëllim largimin nga zona ku kishin planifikuar vrasjen.

Gjatë kontrollit fizik, të motomjetit dhe në banesën e shtetasit E. T. dhe përreth saj, u gjetën 3 armë zjarri (pistoleta), me krehra dhe fishekë, municion luftarak, motomjeti i dyshuar i përdorur për rastin, çelësat e të cilit iu gjetën shtetasit 34-vjeçar.

Nga verifikimet rezultoi se motomjeti ishte i vjedhur në Suedi.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

ME TE LEXUARAT