web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Të presësh nga zaret e Ramës

9 Tetor 2026, 13:31, Editorial CNA

Të presësh nga zaret e Ramës

Rreth orës 01:30 të mëngjesit të sotëm, ushtarët e Edi Ramës shkuan në rresht dhe votuan Reformën e re Territoriale.

Me plot 85 mandate, me një të rënë të lapsit, edhe pse me kundërshtimin e shumë bashkive, këshilltarëve dhe qytetarëve, të cilët edhe kanë protestuar, një pjesë e mirë e tyre dhe socialistë të thekur, Reforma Territoriale kaloi.

Pas 11 vjetësh u bë një ndërhyrje në Reformën Territoriale me shpresën për t’u bërë e para, por ajo u quajt e dështuar.

Reforma e parë Territoriale, një ndarje e re administrative e dështuar që pasohet nga një tjetër me shpresën se do të jetë më e mirë. Në fakt, thjesht po përsëritet i njëjti ushtrim, të njëjtat të dhëna për të dalë në të njëjtin përfundim të gabuar.

Gjithsesi, opozita kërkon një tjetër Reformë Territoriale me më shumë bashki. Mazhoranca pretendon se nuk janë shkrirë shumë njësi administrative, por do të krijohen dhe qytetet do të ketë përfaqësinë e tyre.

Në fakt, thelbi është a do të ketë shërbime?

Reforma e vjetër e vitit 2015 nuk është se ka sjellë më shumë shërbime për qytetarët, thjesht i ka larguar ata, thjesht ka vetëm më shumë shpopullim dhe një administratë më të madhe në pushtetin vendor. Gjithsesi, mazhoranca zgjodhi ta bënte këtë akt, pra të kalonte Reformën Territoriale, të tregonte forcën e kartonëve në Parlament.

Kjo “dhunë” kartonësh në Parlament erdhi pas një sërë skandalesh që i kanë dalë qeverisë që nga afera Ron Yeffet te skandali i ish-drejtoreshës së SHISH, afera e AKSHI-t, së fundi dhe pritshmëria e madhe për një intervistë dhe deklarimet e dhëna nga Mirel Mërtiri, njeriu i aferës së inceneratorëve dhe në një kohë tensioni të madh politik dhe protestash Edi Rama nxiton Reformën Territoriale, e fut në Parlament dhe e voton atë duke treguar forcën me 85 mandate.

Zaret e Ramës

ZARI I PARË, VULLNET SINAJ

Të presësh nga zaret e Ramës

Gjatë ditës së djeshme, por edhe ditët e shkuara, u duk sikur Reforma Territoriale nuk do të kalonte. Kishte zëra kundër. I pari doli një nga zaret e Ramës, i cili është zgjedhur deputet i Qarkut të Vlorës dhe me votat e Agron Xhafës të aferës “Babale”.

Vullnet Sinaj deklaroi se do të votonte kundër, pasi zgjedhësit e tij nuk e donin këtë ndarje të re territoriale dhe nuk donin të kalonin në ombrellën e Vlorës.

Por, dje, pas një mbledhjeje të Grupit Parlamentar socialist, ku Rama tha ‘kush nuk e voton del nga grupi’, u trodh Vullneti.

Doli dhe tha ‘do të votoj reformën’, njeriu që mbronte interesat e qytetarëve të tij u hodh në krahun tjetër.

Nga interesat e qytetarëve, mesa duket pa interesat e biznesit. PS në pushtet, Vullnet Sinaj ka biznese, është deputet i PS-së, duhet të qëndrojë në rresht, se po doli nga rreshti pastaj e gjen belaja, kështu i ka gjetur edhe ata që kanë dalë nga rreshti apo i kanë dalë kundër Ramës.

Zari i dytë është Erion Braçe.

Ky është nga ata zaret e matësve elektrikë, por matësit e vjetër që dikur u vinin një magnet të fortë dhe ndalonte, ulte shpejtësinë, ndërkohë Braçe e rriti maksimalisht atë dje duke pretenduar se nuk do ta votonte, doli dhe në mbrëmje e mbajti qëndrime të forta kundër Ramës, na tregoi se ai i kishte thënë se duhet të dilte nga grupi i PS-së nëse votonte kundër, dhe në momentin e fundit edhe Braçe u soll si një zar i Edi Ramës, shkoi në rresht dhe votoi Reformën.

E treta për nga radha, por jo më e parëndësishmja, është Elisa Spiropali, Elisa e inceneratorëve, siç e kemi quajtur ne.

Kjo e fundit prej muajsh pretendon që do të bëjë një lidership tjetër në PS, ka dalë me platformë me pika, dje në Parlament tha se nuk e shantazhonte dot kush, as ata që kishin shantazhuar Gaz Bardhin në Fier, por edhe kjo Elisa e inceneratorëve si një zare e vogël shkoi dhe e votoi reformën territoriale me vrap.  

Të presësh nga zaret e Ramës

Përmendëm këta të tre për zare duke i përjashtuar nga 85 deputetët e tjerë që votuan pro Reformës sepse shumica e tyre ulin kokën në rresht pro PS-së, shkojnë e japin votën, mandatin e dinë që e kanë të “mbretit” të tyre, ai i ka futur në listë, ai mund t’i heqë, ai mund t’i hedhë në kosh të plehrave, ndaj dhe nuk bëjnë gërr-vërr. Kurse Braçe zgjedh të bëjë shpesh gërr-vërr, megjithëse më pas përfundon si zar i Ramës.

Gërr-vërr bën edhe Elisa, çfarë nuk thotë publikisht a thua se kjo do të na bëjë një lidership ndryshe, në fund edhe kjo përfundon një zar.

Doli edhe Vullnet Sinaj duke rritur pritshmëritë në opinionin publik ku kërkoi të dukej si qytetar dhe do të mbante anën e zgjedhësve të tij, në finale edhe ai përfundoi një zar. Këta të tre quhen zare sepse dalin dhe bëjnë gërr-vërr publikisht dhe të presësh nga zaret është e paimagjinueshme. Por ndoshta opozita dhe qytetarët shpresuan se zaret e Ramës mund të kishin një pikë dinjiteti, por çudia më e madhe tri ditë zgjat.

Nuk ka rëndësi nëse u hedh vezë apo pështymë në fytyrë, shkojnë e lahen, shikojnë veten në pasqyrë, u duket e bukur, sikur nuk ka ndodhur asgjë.

Rama dje përdori zaret e tij si gjithmonë, i hodhi, mori votat e reformës territoriale, tregoi edhe forcën pas skandaleve që kanë ndodhur, të bashkuar grusht rreth partisë në rresht për një.

Tashmë Edi Rama e ka provën solide të mazhorancës për të ecur përpara me të tjera bëma e gjëma, të cilët i ka paralajmëruar dhe do t’i nxjerrë nga sirtari në momentin e duhur, që nga ndryshimi i Kodit të Procedurës Penale, reforma zgjedhore, por edhe të tjera lëvizje që kryeministri pritet t’i hedhë shpesh në Parlament, sa herë të ketë afera dhe një opinion në publik të dërrmuar Rama do të tregojë se deputetët e tij janë grusht bashkuar rreth Edi Ramës./ CNA





Lajmet e fundit nga