Mourinho kërkon durim te Real Madridi dhe sjell si shembull vazhdimësinë e Artetës te Arsenali

Jose Mourinho beson se Real Madridi ka nevojë për kohë për të adresuar problemet dhe për të ngritur nivelin e paraqitjeve si ekip.

Të lidhura

None found

Trajneri portugez nuk e sheh të mundur një ndryshim të menjëhershëm dhe rrënjësor të mënyrës së lojës, sidomos në mungesë të seancave të mjaftueshme stërvitore.

“Në këtë periudhë të parë kemi evidentuar shumë aspekte pozitive, por edhe elemente që duhen përmirësuar. Kjo nuk nënkupton se duhet të bëjmë ndryshime drastike. Për këtë nevojiten punë dhe kohë”, deklaroi Mourinho.

Sipas tij, struktura taktike e skuadrës nuk mund të transformohet brenda pak ditësh.

“Nuk mund të mbërrij pas 1 ose 2 ditësh dhe të them se do të luajmë me 5 mbrojtës, katër mesfushorë apo se do të ndryshojmë mbrojtësin e krahut. Kjo nuk është e mundur”, u shpreh ai.

Për të ilustruar këtë pikëpamje, Mourinho iu referua Mikel Artetës dhe vazhdimësisë së tij në drejtimin e Arsenalit, duke theksuar se kërkesat ndaj dy klubeve janë të ndryshme.

“Dje lexova diçka të çuditshme, diçka që në Madrid nuk mund të ndodhë. Mikel Arteta ka rinovuar kontratën dhe ka thënë se tani po fillojmë, pasi kemi shumë punë për të bërë”, tha trajneri portugez.

Mourinho pranoi se pesha e historisë së suksesshme të Real Madridit bën që çdo problem i skuadrës të perceptohet në përmasa më të mëdha.

“Real Madridi është fajtor, sepse ka fituar shumë gjatë 10 viteve të fundit dhe edhe më herët. Për këtë arsye, gjithçka merr një dimension tjetër”, deklaroi ai.

Megjithatë, trajneri siguroi se puna për korrigjimin e detajeve tashmë ka nisur, edhe pse disa prej këtyre përmirësimeve mund të mos jenë të dukshme për tifozët.

“Na duhet kohë për t’i përmirësuar gjërat. Disa prej tyre rregullohen duke bërë ‘tik-tik’ dhe pikërisht këtë po bëjmë”, përfundoi Mourinho.


Quantcast