Çmimi Nobel për Paqen për vitin 2026 iu dha Navi Pillay, ish-Komisioneres së Lartë të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, në shenjë vlerësimi për përkushtimin e saj të gjatë ndaj paqes, drejtësisë dhe mbrojtjes së së drejtës ndërkombëtare.
Të lidhura
None found
E lindur në Afrikën e Jugut, 85-vjeçarja Pillay është angazhuar për mbrojtjen e dinjitetit njerëzor dhe për krijimin e një shoqërie ku drejtësia të jetë e barabartë për të gjithë, e jo një privilegj i rezervuar për të fuqishmit.
Jørgen Watne Frydnes, kryetar i Komitetit Norvegjez të Nobelit, deklaroi se bota po përballet me një rritje të numrit të luftërave dhe konflikteve, ndërsa gjyqtarët dhe institucionet e drejtësisë ndërkombëtare po përballen me presione politike.
“Jetojmë në një kohë kur numri i luftërave dhe konflikteve po rritet dhe kur gjyqtarët dhe institucionet e së drejtës ndërkombëtare po përballen me sulme politike. Komiteti i Nobelit dëshiron të rikujtojë se aftësia për t’i zgjidhur konfliktet pa përdorur forcën apo dhunën varet nga respektimi i shtetit të së drejtës në nivel ndërkombëtar”, u shpreh Frydnes.
Sipas vlerësimit të Komitetit të Nobelit, paqja nuk kufizohet vetëm te mungesa e përplasjeve të armatosura. Ajo lidhet edhe me ruajtjen e dinjitetit njerëzor, përgjegjësinë për padrejtësitë, dëgjimin e viktimave dhe garantimin e një të ardhmeje më të drejtë për shoqëritë.
Ndër emrat e tjerë të përmendur si kandidatë për çmimin e këtij viti ishin Papa Leoni, Gjykata Penale Ndërkombëtare, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dhe Francesca Albanese, raportuese speciale e OKB-së për Territoret e Pushtuara Palestineze.
Në vitin 2026, çmimi shoqërohet me 12 milionë korona suedeze, shumë që përllogaritet në rreth 1,2 milionë dollarë.





